image Bajrami ngre alarmin te Sorenseni për deklaratën e ministres serbe: Shkelje e Marrëveshjes së Brukselit

Politikë

Bajrami ngre alarmin te Sorenseni për deklaratën e ministres serbe: Shkelje e Marrëveshjes së Brukselit

news image

Ambasadori i Kosovës në Bruksel dhe njëherësh kreu i ekipit negociator, Agron Bajrami, ka bërë të ditur se ka adresuar zyrtarisht te emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, deklaratën e një ministreje serbe që, sipas tij, mbështet hapur “spastrimin etnik” të shqiptarëve në Kosovë.

Bajrami tha se deklarata e ministres serbe pasqyron atë që mendon presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por që ajo, sipas tij, “nuk duhej ta kishte thënë me zë të lartë”.

“Ministrja serbe tha atë që mendon presidenti serb – ajo thjesht nuk duhej ta kishte thënë me zë të lartë, ndërsa ai tani përpiqet të kontrollojë dëmet”, ka shkruar Bajrami.

Ai ka vlerësuar se deklarata dhe sjellje të tilla nga zyrtarët serbë përbëjnë shkelje të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023, e cila, sipas tij, i obligon palët të kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës dhe të respektojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe paprekshmërinë e kufijve.

Sipas Bajramit, kjo retorikë dëmton dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, besimin mes palëve dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

Ai ka shtuar se distancimi i Serbisë nga deklarata të tilla përbën vetëm “premtime boshe” dhe jo pendim të sinqertë apo refuzim të krimeve të periudhës së Sllobodan Millosheviqit.

Bajrami theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, por vetëm nëse respektohen vazhdimisht parimet themelore të tij.

“Çfarë vlere ka të flasësh për zbatim kur Serbia vazhdon t’i shkelë marrëveshjet me fjalë dhe vepra?”, ka përfunduar ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/