image Bajrami: Nëse ky nen nuk largohet, Projektligji për Buxhetin do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese
[wp-story id="814678"]

Politikë

Bajrami: Nëse ky nen nuk largohet, Projektligji për Buxhetin do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese

news image

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se Buxheti për vitin 2023 nuk i adreson nevojat e qytetarëve dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi.

Bajrami ka thënë se buxheti as nuk është i shpërndarë si duhet e as nuk reflekton premtimet e Qeverisë.

Deputetja e LDK-së ka pasur kundërshtime për paragrafin 6 të nenit 9 të këtij projektligji për buxhetin, ku thuhet se ‘Të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar’. Ajo e ka quajtur anti-kushtetuese.

Kritikë tjetër e deputetes Bajrami është edhe shuma e mjeteve në kuadër të kontigjencave të Ministrisë dhe të Fondit për Ringjallje Ekonomike. Sipas saj, nuk ka informata sesi do të shfrytëzohen.

“Ne kemi provuar që t’i shpalosim vërejtjet tona. Për neve buxheti nuk kompenson as normën e inflacionit dhe ju e dini që gjatë këtij viti qytetarët e vendit po përballen me një normë të lartë të inflacionit dhe shikuar nga kjo perspektivë të gjitha zërat buxhetor në terme nominal kanë ngritje por të them të drejtën të gjitha janë më të vogla sesa normal e inflacionit. Ajo çfarë ne kemi vërejtur është jotransparenca, në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, janë afro 270 milionë euro të cilat janë në kuadër të kontigjencave të Ministrisë dhe të Fondit për Ringjallje Ekonomike, fonde këto që nuk e di askush prej deputetëve sesi do të shfrytëzohen, pra nuk ka projekte, nuk ka plan e as vizion, dhe ato mbeten që gjatë vitit 2023, Ministria e Financave të vendosë sesi do t’i shpenzojë”, tha Bajrami.

Bajrami ka thënë se është normale që për çdo vit të ketë rritje të buxhetit. Sipas saj, rritje të tillë ka pasur edhe në kohën e pandemisë, kur kishte një mbyllje totale.

Por në fakt, Bajrami thotë se rritje të buxhetit nuk mund të ketë, nëse krahasohet me normën e lartë të inflacionit.  Bajrami ka kritikuar Qeverinë edhe për lënien e 677 milionë euro të pashpenzuara. 

“Buxheti historikisht ka qenë i madh në secilin vit vijues në krahasim me të gjitha vitet paraprake. Edhe në kohën e pandemisë në mbyllje totale në vitin 2020, kur kishin rënie ekonomike për 5 për qind, ne e kemi pas buxhetin më të lartë historikisht. Nëse e shikojmë që kemi një buxhet rreth 2.9 miliardë i aprovuar për vitin 2022, dhe e kemi buxhetin 3. 2 miliardë për vitin 2023. Nëse e marrim parasysh normën e inflacionit, kjo nuk e ka kompensuar as edhe normën e inflacionit. Në terma nominal ka ngritje të buxhetit pothuajse në shumicën e organizatave buxhetore, por kjo nuk e kompenson normën e inflacionit. Në raportin nëntë mujor që e ka dorëzuar Ministria e Financave për informim të deputetëve, aty figurojnë që në bilancin bankar me 30 shtator kanë qenë 677 milionë euro të pashpenzuara”, u shpreh Bajrami.

Ndërsa për paralajmërimet e Qeverisë se do t’ua marrë Komunave mjetet vetanake të pa-shpenzuara, Bajrami e quan anti-kushtetues. Thotë se nëse ky nen nuk largohet nga projektligji për buxhetin, i njëjti do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Në fakt ky është një nen shumë problematik. Te pjesa tekstuale te neni 9, për herë të parë në histori Ministria e Financave ka futur një fjali të tillë tek paragrafi i gjashtë, ku thotë se të gjitha fondet të cilat janë mbledhë para vitit fiskal 2022 dhe janë të pashpenzuara, do të trajtohen si suficit. Kjo është anti-kushtetuese sepse janë ligje të tjera të cilat këto mjete komunave ua lejon që t’i bartin vit pas viti. Në anën tjetër kjo është tepër kontradiktore sepse Kuvendet Komunale i kanë aprovuar buxhetet me investime kapitale me të cilat i kanë llogarit që t’i kenë këto të hyra të bartura, dhe në fakt një draft-buxhet i tillë është votuar në Qeveri dhe është votuar në parim. Ky nen është kontradiktor me komplet tabelat dhe investimet kapitale të komunave”, ka thënë Bajrami për EO teksa është shprehur se do ta dërgojnë në gjykatë Kushtetuese nëse ky nen nuk largohet deri në lexim të dytë.

Në fund, deputetja e LDK-së, ka thënë se partia e saj nuk do ta votojë Buxhetin për vitin 2023.

/GazetaSinjali/