Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas publikimeve të fundit që zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji, dyshohet të jetë përfshirë në afera për ryshfet.
Bajrami përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ky rast deri më 14 shkurt 2021 do të kualifikohej korrupsion, ndërsa pas 14 shkurtit e këndej, partia në pushtet ka mundësi që ta kualifikoj si “luftë kundër korrupsionit”.
“Korrupsion apo luftë kundër korrupsionit?!
Duke mos lënë anash skandalin e Martin Berishajt e as rastin 3.5 milionë euro të Llamkos/AKP-së/përmbaruesi, ja edhe një rast tjetër i cili vjen nga Insajderi: Ky rast deri më 14 shkurt 2021 do të kualifikohej korrupsion, prej 14 shkurtit e këndej Partia në pushtet dhe komplet Qeveria ka mundësi e kualifikojnë edhe si ”luftë kundër korrupsionit” ose edhe ”transparencë” etj.”, ka shkruar Bajrami.
Ajo tutje ka thënë se ambasadorin , Martin Berishaj po e mbrojnë kreët e shtetit, dhe ta shohim tash se kush do ta mbrojë zëvëndësministrin.
“Martin Berishajn po e mbrojnë krerët shtetërorë. Ta shohim si do ta mbrojnë tash Zëvendësministrin e përfshirë në vepra korruptive.
P.S.
Mediat në Kosovë e bëjnë një punë të jashtëzakonshme, besoj se faktet e tilla i ndihmojnë edhe sistemit të drejtësisë andaj edhe kërcënimi i tyre nga eksponentë të pushtetit siç thuhet në raportin ”Human Rights Watch” është regres i demokracisë në vend”, ka shkruar deputetja e LDK-së.