Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë lidhur me situatën ekonomike në vend si pasojë e pandemisë, shkruan Gazeta Sinjali.
E përgjatë kësaj seancë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka potencuar se rimëkëmbja ekonomike që po ndodhë pas pandemisë është meritë e Qeverisë Hoti.
“Me rënien e numrave të infektuarve është e pakuptueshme që të krenoheni aq shumë se nuk ka asnjë vendim e asnjë masë që ju të merrni merita. Nëse flasim për shifrat e majit, nuk ka masë ekonomike dhe vendim që efektet e saj do t’i krijonte menjëherë pas 1 muaji.”
“Qeveria Kurti ka marrë mandatin më 22 mars dhe si mundeni të krenoheni me programin ekonomik. Ne bëmë çdo gjë që të mos ketë mbyllje totale. Rimëkëmbja po ndodh shumë më shpejt se që e kemi parashikuar, pikërisht për shkak të masave që kemi marrë”, ka thënë ajo.
Tutje ajo ka shtuar se qeveria e kaluar ka ndarë 285 milionë euro për qytetarët, por sipas saj qeveria e tanishme nuk ka marrë ndonjë masë në këtë drejtim.
“Menjëherë pas marrjes së mandatit, ne kemi vazhduar me implementimin e masave. Në qeverinë e mëhershme janë nënshkruar disa marrëveshje. Vetëm gjatë vitit 2020 nga buxheti i Kosovës drejtpërdrejt janë dhënë 285.5 milionë euro. 33.9 milionë euro në paga dhe shtesa, rreth 23.7 milionë në mallra dhe shërbime, 200 mijë euro në shpenzime komunale. Edhe ne do të kishim pasur dëshirë të jepnim më shumë por këto kanë qenë kapacitetet”, ka theksuar ajo./Gazeta Sinjali/