Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar pas arrestimit të asambleistit të Vetëvendosjes në Prishtinës, Besnik Mujeci, i cili dyshohet se u kap me drogë në vlerë të 500 mijë eurove.
Bajrami ka thënë se partia në pushtet po e fundos Kosovën, tani edhe me afera të tregtimit të drogës nga eksponentë kryesorë.
Sipas saj, zënia e asambleistit të VV-së me gjysmë milioni drogë është përmbysje e shpresës së rreme të proklamuar nga kryeministri Albin Kurti.
Bajrami i ka bërë thirrje Prokurorisë që ta hetojë këtë rast, e që sipas saj ky nuk është i vetëm në biznesin e drogës.
Postimi i plotë i saj:
Qeveri e shpresës me shitblerje të drogës, a?
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje po e fundos Kosovën. Tash, me afera të tregtimit të drogës nga eksponentë kryesorë. Zënia e asamblistit të Vetëvendosjes në Prishtinë me gjysmë milioni euro drogë duke transportuar në Shqipëri është përmbysje e shpresës së rreme të proklamuar nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosjes.
Prokuroria duhet ta hetojë këtë ndërmarrje kriminale meqë asamblisti i Vetëvendosjes nuk është i vetëm në biznesin e drogës. Sikurse nuk ishte i vetëm as Martin Berishaj në tregtimin e rrymës me Serbinë. Sikurse nuk ishte e vetme Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes kur koordinohej me Radojcicin. Sikurse nuk është një person i përfshirë në keqpërdorimet e rezervave shtetërore.
Tregtinë me drogë, koordinimin me Radojcicin, biznesin e rrymës së ambasadorit me Serbinë, hajnitë në KEK dhe të gjitha skandalet tjera do të ndëshkohen.
E ndëshkimin më të madh do ta përjetoni nga vota e popullit.