Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Labinot Gruda dhe Kadri Shala, për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë nga Thesari i Shtetit, duke i dënuar me 21 vjet burgim dhe 41 mijë e 500 euro gjobë. I akuzuari Labinot Gruda është shpallur fajtor duke u dënuar me dënim unik prej 8 mijë e 500 euro gjobë dhe 11 vjet burgim efektiv. Po ashtu, të njëjtit iu shqiptua dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike për 6 vjet. Kurse, Kadri Shala u shpall fajtor dhe u dënua me 33 mijë euro gjobë dhe 10 vjet burgim efektiv, raporton Gazeta Sinjali.
Ky skandal kishte ndodhur në tetor të 2020-tës, në atë periudhë në krye të Ministrisë të Financave ishte Hykmete Bajrami.
Bajrami e cila tash mban postin e deputetes në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një përgjigje për Gazetën Sinjali përshëndeti vendimin e Themelores.
“Vendimi i sotshëm i Gjykatës tregon se kur ka bashkëpunim në mes të institucioneve, rastet e vjedhjeve nuk ngelen pa u ndëshkuar. Unë besoj shumë se organet e drejtësisë dhe institucionet tjera përgjegjëse do të bashkërendojnë aktivitetet, që mjetet e vjedhura të kthehen sa më parë në buxhetin e shtetit”, u shpreh ajo.
Deputetja e LDK-së bëri thirrje që të vihet drejtësia në vend për çdo zyrtar që abuzon.
“Hajnat e kanë vendin në burg. Secili zyrtar që abuzon duhet të zbulohet, të denoncohet dhe hajnat duhet të marrin dënime kapitale”, tha Bajrami për Sinjalin.
Ndryshe, prokuroria dhe mbrojtja nuk kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë lidhur me këtë çështje.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala.
Në aktakuzë thuhet se Gruda, ngarkohej për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin Shala.
Ndërkaq, thuhet se Shala, akuzohej për veprat penale “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”