Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock filloi një vizitë dy-ditore në Finlandë dhe Suedi, gjatë së cilës ajo tha se do të shprehë angazhimin e saj për të mbështetur kërkesat e të dy vendeve nordike për t’u bërë anëtare të NATO-s.
Baerbock vuri në dukje se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës shënoi një pikë kthese të rëndësishme për të dy kombet.
Ajo theksoi se pas vitesh mospjesëmarrjeje në aleancat ushtarake, Finlanda dhe Suedia kanë vendosur të anëtarësohen në NATO.
“Pas 80 vjetësh të politikës së Finlandës, dhe 200 vjetëve të politikës së Suedisë për mospjesëmarrje në aleancat ushtarake, të dy vendet kanë vendosur të anëtarësohen në NATO”, tha Baerbock.
Dy vendet nordike, Finlanda dhe Suedia, kërkuan anëtarësimin në NATO menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, dhe derisa shumica e vendeve anëtare kanë ratifikuar aplikimet e dy vendeve, Turqia kundërshton kandidaturën e Suedisë.
Turqia – si vend anëtar i aleancës me të drejtë vetoje – ka shtyrë për kohë të pacaktuar bisedimet e anëtarësimit për këto dy shtete.
Ankaraja ka refuzuar që të ratifikojë aplikimet e këtyre dy shteteve për në NATO, pikë së pari për shkak të refuzimit të Suedisë që të ekstradojë dhjetëra të dyshuar, që Turqia pretendon se janë të lidhur me luftëtarët kurdë dhe me puçin e dështuar të vitit 2016.
Suedia ka diasporë më të madhe kurde sesa Finlanda dhe ka më shumë mospajtime me Ankaranë.
Suedia është aleati më i afërt mbrojtës i Finlandës. Në rast të një konflikti me Rusinë, me të cilën Finlanda ndan një kufi prej 1.300 km, NATO-s do t’i duhej territori suedez për të ndihmuar Finlandën të mbrohej./REL/