Vrasja e policit, Afrim Bunjaku, tronditi vendin tonë mëngjesin e sotëm, pasi i ndjeri mbeti i vdekur teksa ishte në detyrë, ku së bashku me disa nga kolegët e tij, u sulmuan në hyrje të fshatit Banjskë nga grupe të armatosura serbe, raporton Gazeta Sinjali.
Në familjen e tij, në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë kanë nisur vizitat e familjarëve për ngushëllime.
Për vdekjen e tij, para mediave ka folur axha i tij, Gani Bunjaku i cili tha se përveç dhimbjes që kanë, po ndjenjë edhe krenari, teksa tregoi se Afrimi gjithmonë ka shkuar me vullnet në punë.
“Ndjejmë dhimbje, por edhe kemi krenari sepse i ndjeri prej që e ka marrë pozicionin e udhëheqjes së stacionit në Zveçan, ai me gjithë vullnetin ka shkuar në punë me mbrojtë atë tokë e me mbisundu ligji në atë pjesë”, u shpreh ai.
Deklarimi i plotë i tij:
Edhe djali i axhës së policit Afrim Bunjaku, Artan Bunjaku foli sot para mediave teksa nisi një porosi për kryeministrin Kurti.
“Unë e kam një thirrje drejt kryeministrit, le të merret me bisedime e të mos i përdorë uniformat tona në veri dhe mos të humbim jetë të tjera. E Falënderoj Policinë e Kosovës të cilët kanë qenë korrekt gjatë informacionit. I ndjeri ka lënë tre fëmijë, një vajzë dhe dy djem. E kemi pasur të vështirë t’i njoftojmë, por me ndihmën e Policisë dhe emergjencës, kemi arritur që ngadalë t’i njoftojmë dhe t’i qetësojmë”, u shpreh ai.
Bunjaku tha se tashmë i ndjeri, që nga fillimi i trazirave ka qëndruar me net të tëra në veri.
“Prej që kanë filluar trazirat, vazhdimisht ka qenë në pjesën veriore, me net të tëra ka ndenjur në male. Është nder dhe krenari t’i shërbejmë vendit, por jo në këtë mënyrë ku nuk kemi mbrojtje prej askujt dhe as përkrahje nga ndërkombëtarët”, u deklarua ai.