Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për muaj me radhë për rastin e avullimit të 2 mijë e 519 tonë grurë nga rezervat shtetërore të Kosovës nga “Universal Food” e Bahadir Aksoyt. Pas ngritjes së aktakuzës ndaj Aksoyt dhe kompanisë, tashmë Gjykata ka marrë një vendim.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me një vit burgim me kusht Bahadir Aksoyn dhe me 5 mijë euro gjobë kompaninë në fjalë.
Në vitin 2019, shteti kishte vendosur që sasinë e grurit rezervë të cilën e kishte deponuar në kompaninë “Universal Food”, ta barte te “Barileva shpk”, që ishte angazhuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për ta mbajtur sasinë e grurit në kuadër të rezervave.
Gjatë bartjes së sasisë prej 4 mijë e 673 tonë grurë nga kompania paraprake në kompaninë e kontraktuar nga MTI-ja, u zhdukën saktësisht 2 mijë e 519 tonë grurë, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm prej rreth 529 mijë euro.