image AVONET: Gjykata, gjyqtari dhe Policia përgjegjëse për vrasjen makabre të shtatzënës në QKUK

Drejtësi

AVONET: Gjykata, gjyqtari dhe Policia përgjegjëse për vrasjen makabre të shtatzënës në QKUK

news image

Pas rastit të vrasjes makabre të shtatzënës nga Komuna e Lipjanit në Repartin e Gjinekologjisë në QKUK, ka reaguar edhe Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET.

Në njoftimin e Rrjetit të Organizatave Joqeveritare thuhet se janë duke përcjellë me shqetësim të thellë këtë ngjarje tragjike. AVONET mbetet i shokuar me neglizhencën e institucioneve, ku vetëm gjatë këtij viti kemi pesë gra të vrara, të cilat tashmë kishin alarmuar të gjitha institucionet relevante për dhunën psikike dhe fizike që po ndodhte ndaj tyre.

Më tej në njoftimin e AVONET, thuhet se lidhur me rastin në fjalë, Gjykata Themelore e Ferizajt ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje, me datë 13.09.2022, me kërkesë nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave, që funksion në kuadër të Prokurorisë së Shtetit, i cili ishte në fuqi deri në muajin mars 2023, dhe Gjykata Themelore e Ferizajt të njëjtin e kanë dënuar me gjobë për armëmbajtje pa leje, me ç’rast Prokuroria Themelore e Ferizajt ka ngritur aktakuzë ndaj S.H për veprën penale kanosje.

Në reagimin e Rrjetit të Organizatave Joqeveritare, theksohet se duke qenë në dijeni Gjykata Themelore e Ferizajt se i njëjti ishte recidivist i veprave penale, gjykatësi, ka neglizhuar dhe ka vënë në rrezik jetën e tashmë viktimës, duke marr parasysh se ky gjykatës të njëjtin e ka dënuar me dënim me gjobë për armëmbajtje pa leje, duke pasur parasysh rrethanat dhe dashjen e kryesit të veprës penale.

“Andaj, Gjykata Themelore e Ferizajt, ka treguar mungesë profesionalizmi çka bëri që tash S.H të kryente veprësn penale të vrasjes me paramendim, duke pasur mundësi që të endet i lirë përkundër denoncimeve të vazhdueshme nga e ndjera”, thonë AVONET.

Sipas Rrjetit të Organizatave Joqeveritare, në këtë rast ka dështuar edhe Policia e Kosovës, e cila është përgjegjësë për sigurinë e viktimave të dhunës në familje dhe zbatimin të urdhrave për mbrojtje.

 Më tej në reagim thuhet se poashtu, institucionet e Republikës së Kosovës deri më tani nuk kanë marrë asnjë veprim për mbështetjen e qendrave për Punë Sociale, si në aspektin logjistik dhe profesional, shumica e QPS-së nuk kanë automjete të tyre dhe mungesë stafi e hapësirave dhe fondeve emergjente.

“Kërkojmë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të merr masa urgjente ndaj Gjykatës Themelore të Ferizajt dhe gjykatësit të çështjes për neglizhencë, mosprofesionalizëm dhe mos efikasitet”, thuhet në njoftimin e AVONET.

“Kërkojmë nga Fehmi Hoti, U.D Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës të merr masa urgjente ndaj Stacionit Policor Lipjan, për mos ofrimin e sigurisë së të ndjerës”, thuhet në reagimin e Rrjetit të Organizatave Joqeveritare.

/GazetaSinjali/