Në Gjykatën Themelore të Ferizajt po mbahet procesi i gjykimit të Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, për vrasjen e Marigona Osmanit në vitin 2021.
Pas deklarimit të të pandehurve, ka folur edhe avokatja e Arbër Sejdiut, Arbnora Shefkiu.
Ajo ka kërkuar mirëkuptimin e familjarëve për ta kuptuar drejt, duke thënë se “nuk jemi këtu për ta mohuar vrasjen e Marigonës, e cila ka pasur vdekje të tmerrshme, dhe për të cilën ndjejmë jashtëzakonisht keqardhje bashkë me të mbrojturin tim”.
“Por se në këtë shqyrtim gjyqësor do të paraqesim pasqyrën reale se çfarë ka ndodhur në ditën kritike e padyshim nuk është ajo që e përshkruan prokurori në aktakuzë, por e vërteta është më ndryshe dhe këtë gjë do ta vërtetojmë përmes provave të cilat vetë i ka propozuar prokurori dhe nga dëgjimi i të pandehurve. Dhe një gjë, prezenca e Arbër Sejdiut në ditën kritike, në të njëjtin ambient me bashkë të pandehurin, Dardan Krivaqa, nuk e bën përgjegjës sipas aktakuzës së Prokurorit të Shtetit. Përgjegjësia e tij e vetme është që ka qëlluar në vend dhe moment të gabuar”, ka thënë më tej Shefkiu, në hyrje të fjalës së saj.
Ndërkohë, Krivaqa në fillim të kësaj seance tha se ndjen keqardhje dhe ngushëlloi familjen e Marigonës, duke kundërshtuar më pas prokurorin.
“Ajo që thotë prokurori s’ka ekzistuar kurrë. Nuk qëndron. Është duke u devijuar nga realiteti dhe e vërteta”, tha ai.
Ndërkaq i akuzuari tjetër për rastin, Arbër Sejdiu, u deklarua po ashtu vet, duke thënë se nuk e pranon fajësinë.