Avokati serb, Goran Petronijeviq beson se ish-komandantët e UÇK-së të akuzuar para Gjykatës Speciale në Hagë, e veçanërisht Hashim Thaçi, nuk po gjykohen për të arritur të vërtetën dhe drejtësinë, por sepse Thaçi ishte i gatshëm të bënte kompromis me Beogradin para arrestimit.
Në një intervistë për mediumin serb “Kosovo-Online“, Petronijeviq ka vlerësuar se gjykimi i deritanishëm i ish-komandantëve të UÇK-së tregon se Hagës nuk i pëlqen të shkatërrojë narrativën për UÇK-në, prandaj, siç shton ai, gjyqet janë kryesisht të mbyllura për publikun.
“Qëndrimi im ka qenë që në fillim që theksi në të gjitha ato aktakuza dhe aktgjykime do të jetë në vuajtjet e shqiptarëve nga shqiptarët. Pse duhet të na interesojë kjo, duke qenë se do të shihet se ata vranë njëri-tjetrin. Kjo është vetëm kënaqësi për serbët, që na hiqet një lloj barre nga shpina”, thotë Petronijeviq.
Ai tregon se teza e tij është që ish-komandantët e UÇK-së të mos gjykohen për të arritur në të vërtetën dhe drejtësinë.
“Teza ime është që Thaçi dhe të tjerët të gjykohen jo për të gjetur të vërtetën dhe drejtësinë dhe për të ndëshkuar autorët e krimeve, por sepse Thaçi ishte i gatshëm të bënte kompromis me Beogradin dhe kjo nuk i shkonte përshtati SHBA-ve dhe një pjese të komuniteti nderkombëtar që qëndron pas tyre, tashmë i kanë hequr që të mos bëjnë diçka me Beogradin kundër dëshirës së tyre, diçka që nuk do të respektonte plotesisht interesat e fuqive perëndimore. Ata janë të interesuar për ato interesa, nuk janë të interesuar në serbët, shqiptarët, viktimat apo krimet dhe sikur të mos ishin interesat e tyre si primar në gjithë këtë, ne do të kishim arritur një marrëveshje shumë kohë më parë me shqiptarët në një farë mënyre”, përfundoi Petronijeviq.