Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka kritikuar sërish Prokurorinë Speciale të Kosovës në Hagë për materialet të cilat po ia dërgon mbrojtjes, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas tij, të gjitha provat të cilat u janë ofruar deri tash nga prokuroria janë irelevante dhe shumësia e tyre po ia vështirëson punën mbrojtjes.
“Puna e prokurorisë është e paorganizuar, një sasi kaotike e materialeve të cilat duhet të shihen në imësi për të kuptuar atë që thotë prokuroria, e më pas ne t’i bëjmë hetimet e tona. Unë nuk dua që të ketë asnjëlloj keqkuptimi nga mënyra sesi po e bën punën prokuroria. Por mendoj se ekzistojnë dy mundësi, e para: Ata janë krejtësisht jokompetentë, kjo besoj që nuk është e vërtetë dhe e dyta: Kjo mund të jetë tërësisht e qëllimshme”, tha Emmerson.
Avokati i Veselit tha se prokuroria ka refuzuar t’ua japë materialet.
“Ne si mbrojtje nuk kemi pasë asnjë dosje paraprake, shumëherë prokruoria ka refuzuar dhe mund të na japë deri në momentin e fundit para fillimit të gjykimit. Ajo që po bëjnë ata me ne, është që i kanë shkarkuar materialet në bazën e të dhënave, i kanë varrosur provat relevante në një mal provash të tjera që mund të jetë irelevante. Që ta bëjë mbrojtja punën e vet duhet ta ketë aktakuzën dhe ne duhet të shohim materiale të tëra për të kuptuar se çfarë po kërkon prokuroria aty. Mbrojtja nuk mund të përgatitet si duhet”, tha ai./Gazeta Sinjali/