Ben Emmerson, avokat i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pasur një ‘debat’ në seancën e sotme paragjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Emmerson e shprehi shqetësimin e tij për faktin që ende nuk është caktuar një datë kur prokuroria duhet të dorëzojë dosjen paraprake.
“Prokuroria ka humbur nga sytë objektivin kryesor, që është t’i jepet mundësia mbrojtjes ta kuptojë çështjen“, tha ai, duke i kërkuar gjykatësit Nicolas Guillou “ta nxjerrë kamxhikun”, në mënyrë që prokuroria ta kryej punën e saj.
“Kam frikë se është e nevojshme që një gjykatës ta nxjerrë kamxhikun dhe ta qëllojë Prokurorinë në këtë rast për ta bërë punën e saj, sepse ata kanë pasur 5 vjet për ta përgatitur çështjen”, tha avokati i Veselit.
Ai tha se përderisa s’e kanë në dorë çështjen, s’mund të bëjnë asgjë për t’u mbrojtur.
“Kur të kemi dosjen në dorë, ne mund të themi konkretisht se çfarë mund të bëjmë ne lidhur me këtë. Do të ishte mirë që të na jepni mundësinë të planifikojmë një datë për gjykimin. Pa u bërë kjo, ne po presin dhe nuk po bëjmë atë që duhet”, shtoi ai.
Kjo deklaratë e Emmerson u cilësua si kërcënim nga kryeprokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Jack Smith.
“Gjuha inflamatore po përdoret dhe kërcënimet. Dy herë z. Emmerson e ka bërë sot këtë. Gjykata duhet t’i shikojë faktet dhe ligjin”, tha Smith./Gazeta Sinjali/