image Avokati i Thaçit thirrje kosovarëve: Bashkohuni, po sulmohet themeli i shtetit

Drejtësi

Avokati i Thaçit thirrje kosovarëve: Bashkohuni, po sulmohet themeli i shtetit

news image

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, Pierre Richard Prosper, ka folur rreth akuzave ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.

Ai ka bërë thirrje që të gjithë ata që vijnë nga Kosova, të bashkohen rreth Gjykatës Speciale, pasi që sipas tij nuk janë duke u gjykuar vetëm ish-krerët e UÇK-së, por po sulmohet “themelimi i këtij shteti”.

“Do t’i inkurajoja të gjithë, të gjithë që janë nga Kosova, përfshirë edhe klientin tim. Do t’i inkurajoja që të bashkohen, sepse nëse e shikon këtë lëndë është lëndë me emra të individëve që kanë qenë në krye, por është një lëndë që po sulmon në një mënyrë themelimin e këtij shteti, duke e quajtur UÇK-në “një ndërmarrje kriminale”. Është diçka të cilës çdo njeri që jeton këtu duhet t’i kushtojë vëmendje dhe të përcaktohet se a pajtohet me karakterizimin që po e përdor prokuroria. Bazuar në mënyrë se si prokuroria po e prezanton rastin, sipas pikëpamjes time, është duke u dënuar UÇK-ja”, ka thënë avokati i Thaçit në Klan Kosova.

Tutje, ai ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të marrin më shumë përgjegjësi rreth kësaj gjykate.

“Nëse e mendon, kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi, në bashkëpunim me BE-në. Është e rëndësishme që Kuvendi dhe Qeveria të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre sovrane…dhe ata vendosin se çfarë është ajo përgjegjësi, jo unë. Por, nëse nënshkruani një dokument për themelimin e një institucioni, duke i dhënë autoritet, atëherë ke përgjegjësi ndaj atij institucioni, pasi që nuk është çështje kur vetëm nënshkruan një dokument dhe largohesh pa marrë përgjegjësi”, ka thënë Pierre Richard Prosper.

Avokati i Thaçit është shprehur gjithashtu i bindur se ish-presidenti do të shpallet i pafajshëm në të gjitha akuzat.

/GazetaSinjali/