David Hooper, njëri nga avokatët e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar absurd propozimin e prokurores së specializuar që gjykimi ndaj të akuzuarve të Speciales, të fillojë në verën e vitit të ardhshëm, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas tij, gjyqi duhet të nis një vit më pas, e jo vitin e ardhshëm.
“Prokuroria ka kryer hetime të gjata për mendimin tim mbi pesë vjet dhe ka pasur në dispozicion materiale që janë vënë edhe prej hetimeve tjera që janë kryer shumë vite më parë.
Prokuroria ka kryer hetime para situatës së koronavirusit, mendoj se 18 muaj do të na duhen përpara se të mendojmë për fillimin e një gjykimi. Propozimi që gjykimi të nis në qershor është absurd, kjo është një çështje e komplikuar, ndoshta mund të fillojë një vit më pas”, tha Hooper, në konferencën statusore që po mbahet në Hagë.
Hooper po ashtu shprehu kritika rreth aktakuzave të ngritura, pasi tha se në to ka raste ku thuhet “në një ditë”, pa u specifikuar dita ose data e saktë se kur ka ndodhur.
“Një fjali kur thotë ‘një ditë’ dhe nuk jepet data, kjo nuk është një format adekuat, materiali duhet të jetë i hapur për mbrojtje…”, tha ai ndër të tjera./Gazeta Sinjali/