Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u mbajt konferenca e gjashtë mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.
Avokati i tij Jean-Louis Gilissen ka thënë se po punojnë për raste që pretendohet të kenë ndodhur 20 vjet më parë dhe kjo sipas tij po e vështiron punën e hetimeve.
Ai ka deklaruar se është e vështirë të gjenden dokumente dhe dëshmitarë të gjallë.
Në këtë konferencë, gjykatësi i procedurës paraprake e ka vendosur 31 majin si datë paraprake për kalimin e dosjes gjyqësore.
Për ecurinë e hetimeve, nga Zyra e Prokurorit të specializuar janë deklaruar në seancë private ndërsa kanë theksuar se presin që hetimet t’i përfundojnë brenda muajve në vazhdim. Ndërsa gjykatësi Nicolas Guillou ka kujtuar se kanë kaluar dy vjet që prej ngritjes së aktakuzës.
“Kanë kaluar dy vjet që nga aktakuza dhe gati një vit nga arrestimi i të akuzuarit, jam i çuditur paksa që ende ndodhemi në këtë fazë, në këtë pikë”, ka thënë gjykatësi i procedurës paraprake.
Avokati i Shalës, Jean-Louis Gilissen ka thënë se po synon një gjykim të drejtë, por ka shtuar se po përballen me vështirësi gjatë hetimeve.
“Kemi filluar tashmë me hetimin, kemi ecur me hapa të rëndësishëm, sipas mendimit kjo është gjë e madhe, por na duhet të zbresim në terren më mars dhe prill për hetime për hapa më të rëndësishëm. Siç ju kam informuar, po punojmë më shumë se 20 vjet pasi ka ndodhur, të gjesh dokumente tani është shumë e vështirë, të gjesh dëshmitarë që të jenë gjallë edhe kjo është punë delikate, dhe të gjesh dëshmitarë të besueshëm është po kështu e vështirë. E kuptoj vullnetin dhe dëshirën për të ecur përpara, ne po ecim, shumë e vështirë, hetimi i vetë prokurorisë ka kërkuar vite, ne sapo kemi filluar, pak javë kemi”, ka thënë Gilissen, duke shtuar se mbrojtjes i duhen disa muaj për hetime.
Në këtë konferencë nga ana e mbrojtjes është diskutuar edhe për një dëshmitar por seanca ka vijuar e mbyllur.
Në këtë konferencë është bërë e ditur se nga palët ende nuk ka afat kohor sa i përket përmbushjes së angazhimit paragjyqësor.
“Vendos datë paraprake për kalimin e dosjes gjyqësore datën 31 maj. Ndonëse kjo është datë paraprake çdo kërkesë e afatit duhet të bazohet në rrethana detyruese, e dyta, ZPS duhet të dorëzojë kërkesat e mbetura lidhur me procesin e nxjerrjes në veçanti ato kërkesa që kanë të bëjnë me masa mbrojtëse jo më vonë se 18 mars 2022. Mbrojtja do të dorëzojë kërkesat e nxjerrjes në veçanti jo më vonë se 28 prill 2022”, tha ai.
Konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes pritet të mbahet më 14 prill 2022.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. /kp/