Avokati Besnik Berisha, i cili sot ka përfaqësuar Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti, në seancën dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese në rastin e trajtimit të votës së deputetit Etem Arifi, deklaroi se sipas nenit 29, gjysma e deputetëve sot nuk do të ishin ata që do të dilnin për të kërkuar votë, shkruan Gazeta Sinjali.
Berisha po ashtu tha se Gjykata Supreme ka konstatuar se askush nuk mund të privohet nga e drejta e zgjedhjes dhe për t’u zgjedhur.
“Gjykata Supreme kishte vendosur për çështjen “Zafir Beriha” kundër PZAP. Ishte KQZ që bënte filtër para se dikush të marrë bekimin e këtij institucioni si zgjedhës ose i zgjedhur. Gjykata Supreme ka konstatuar se askush nuk mund të privohet nga e drejta e zgjedhjes dhe për t’u zgjedhur. Po të aplikohej standardi sipas nenit 29 gjysma e deputetëve sot nuk do të ishin ata që do të dilnin për të kërkuar votë. Kjo ka ndryshuar si pasojë e një vendimit të Gjykatës Supreme”, tha ai në Klan Kosova.
Tutje, Berisha u shpreh se e gjithë zhurma në emër të Etem Arifit po bëhet që vendi të shkojë në zgjedhje.
“Sot kishim një debat të shteruar dhe në fund emëruesi i përbashkët i parashtruesit të kërkesës ishte: vendi duhet të shkojë në zgjedhje. E gjithë zhurma në emër të Etem Arifit, doli me një kërkesë: vendi të shkojë në zgjedhje, sepse nuk dimë rrugë tjetër thanë”, theksoi Berisha.
Berisha tha se dëshirat politike jo çdo herë mund të futen në vendime juridike.
“Ne dështuam për të siguruar proces zgjedhor po thonë, tash po e përdorim Etem Arifin si pretekst. Etem Arfii është shembull i realiteti për shumë të tjerë”, përfundoi Berisha. /Gazeta Sinjali/