Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka pyetur ministrin e Financave, Hekuran Murati se çfarë shteti është Kosova nëse merr kredi për të paguar skemat sociale.
Kjo pasi Ministri Murati prezantoi në kuvend një marrëveshje ndërkombëtare për kredi nga Banka Botërore në vlerë 47 milionë euro për skemat sociale.
Hoti gjatë fjalimit të tij në seancën e sotme tha se “Që të rishikohen skemat pajtohemi sepse ka qytetarë që plotësojnë kushtet dhe s’marrin dhe anasjelltas. Të merret kredi për pagesë të skemave sociale kjo nuk ka ndodhur asnjëherë ndoshta prej vitit 2008 e këndej që shteti i Kosovës të marrë kredi për të paguar skemat sociale ose paga”.
Tutje ai deklaroi se LDK nuk e përkrahë këtë marrëveshje duke shtuar se “Në fund të fundit çfarë shtetit jemi nëse nuk arrijmë që me të hyrat që kemi të paguajmë skemat sociale e pensionale. Vetëm Palestina ose Sahara Perëndimore që kanë vështirësi për konsolidimin e institucioneve marrin kredi të tilla”.
Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se janë siguruar që gjatë marrëveshjes me Bankën Botërore pjesa më e madhe e mjeteve të shkojnë në xhepat e qytetarëve.
“Jemi siguruar që gjatë negocimit të sigurojmë kushte sa më të mira që sa më shumë mjete të shkojnë në xhepat e qytetarëve, asistenca teknike është e kufizuar”, tha Murati./GazetaSinjali/