image Avancime të kundërligjshme në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë

Kosovë

Shpërdorim/ Avancime të kundërligjshme në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë

news image

Periudha e transferimit të pushteteve pas zgjedhjeve të 6 tetorit, po shfrytëzohet si teren i përshtatshëm për rehatimin e stafit nëpër institucionet buxhetore të shtetit.

Përveç dukurisë së hapjes së konkurseve, gjatë kësaj periudhe të vakuumit institucional,  nëpër ministri dhe organizata që financohen me para të shtetit, po bëhen gradime e rokada të personelit në pozita të larta, shkruan Gazeta Sinjali.

Një praktikë e tillë po ndiqet edhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Drejtori Ekzekutiv i kësaj agjencie, Valdet Gjinovci, së fundi ka emëruar inspektorin sanitar, Jemin Gjuraj në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Udhëheqësit të AUV në Zyrën Rajonale të Prishtinës.

Sipas vendimit që posedon Gazeta Sinjali, personi në fjalë është sistemuar në këtë detyrë prej datës 8 tetor 2019 ndërsa është graduar me koeficientin 9 të pagesës.

Një sinjalizues nga ky institucion e ka njoftuar redaksinë e Gazetës Sinjali se ky avancim është në kundërshtim me Ligjin për zyrtarët publikë i cili garanton konkurrueshmëri të drejtë dhe të barabartë, i cili nuk është marr parasysh nga drejtuesit e kësaj agjencie.

Sipas sinjalizuesit, për çdo avancim që tejkalohet ose rritet koeficienti i pagës, duhet të shpallet konkurs i brendshëm.

Ligji për zyrtarët publikë e normon këtë çështje me nenet 38-të dhe 39-të që kanë të bëjnë me lëvizjet brenda kategorisë dhe ngritjen në detyrë.

Neni 39
Ngritja në detyrë

1. Nëse një pozitë e lirë e kategorisë së ulët apo e mesme drejtuese nuk është plotësuar sipas nenit 38 të këtij ligji, ajo hapet për procedurën e ngritjes në detyrë.

2. Mund të aplikojnë për ngritje në detyrë, sipas paragrafit 1 të këtij neni, vetëm nëpunësit civilë të një kategorie më të ulët, në marrëdhënie pune në të njëjtin apo në çdo institucion tjetër të Shërbimit Civil, nëse plotësojnë kushtet për ngritjen në detyrë dhe kërkesat e veçanta për pozitën e lirë. Në procedurën e ngritjes në detyrë në kategorinë e ulët drejtuese mund të aplikojnë vetëm nëpunësit civilë të kategorisë profesionale të konfirmuar sipas nenit 37 të këtij ligji.

3. Ngritja në detyrë realizohet nëpërmjet një procedure konkurruese të organizuar nga Njësia e Burimeve Njerëzore të institucionit, që ka pozitën e lirë.

Sot Lëvizja Vetëvendosje paralajmëroi se qeveria në ardhje do t`i shfuqizojë të gjitha avancimet dhe konkurset e bëra gjatë tranzicionin qeverisës nëpër ministri, ndermarrje publike e agjenci që financohen nga buxheti i shtetit. /Gazeta Sinjali/