image Avokati Besnik Berisha: Spekulimet për manipulime në rastin e vrasjes në Deçan, të motivuara për përfitime monetare personale

Drejtësi

Avokati Besnik Berisha: Spekulimet për manipulime në rastin e vrasjes në Deçan, të motivuara për përfitime monetare personale

news image

Avokati Besnik Berisha ka reaguar pas deklaratave se ka manipulime në drejtësi me ricilësimin e rastit të vrasjes së Agonis Tetajt në Deçan nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”, shkruan Gazeta Sinjali.

Berisha tha se këto janë spekulime të motivuara për përfitime monetare personale.

Avokati ka renditur shtatë argumente se pse vendimi i prokurorisë, siç shprehet ai, është i drejtë dhe i ligjshëm.

“Ricilësimi i veprës penale nga Vrasje e rëndë në Vrasje nga pakujdesia, i bërë nga Prokurori i çështjes në fjalën përfundimtare në çështjen penale kundër z. Shaban GOGAJ, është veprim dhe vendim i drejtë dhe i ligjshëm, i cili derivon nga një rrugë e gjatë e hetimit dhe gjykimit, me pjesëmarrje aktive të palës së dëmtuar dhe përfaqësuesit të tyre”, ka shkruar ndër të tjera Berisha në Facebook.

I bindur se një ricilësim i tillë i veprës në fjalë është i ligjshëm, Berisha ka ftuar për përballje publike cilindo ekspert të fushës, si dhe ata që mendojnë se marrin vesh nga drejtësia, e që kanë dyshime se ricilësimi i veprimeve të z. Shaban GOGAJ është bërë në mënyrë të kundërligjshme dhe pa mbështetje ligjore nga Prokuroria.

Postimi i tij i plotë:

E arsyetoj mllefin dhe pikëllimin e palës së dëmtuar, por jo edhe spekulimet për manipulim me drejtësinë, sepse janë thjesht të pavërteta dhe të motivuara për përfitime monetare personale ( nuk aludoj në familjen e ngushtë)

1. Ricilësimi i veprës penale nga Vrasje e rëndë në Vrasje nga pakujdesia, i bërë nga Prokurori i çështjes në fjalën përfundimtare në çështjen penale kundër z. Shaban GOGAJ, është veprim dhe vendim i drejtë dhe i ligjshëm, i cili derivon nga një rrugë e gjatë e hetimit dhe gjykimit, me pjesëmarrje aktive të palës së dëmtuar dhe përfaqësuesit të tyre.

2. Kjo rrugë e gjatë dhe e mundimshme, jo vetëm për palën e dëmtuar, përfundimisht nxori në pah se vrasja e tani të ndjerit Agonis TETAJ ishte vetëm një aksident tragjik, e assesi një vrasje e rëndë me dashje, siç padrejtësisht e kundërligjshëm ishte cilësuar nga Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht prokurorja Sahide GASHI.

3. Prokurori që përfaqësoi organin e akuzës në shqyrtimin gjyqësor, së bashku me palën e dëmtuar dhe përfaqësuesin e tyre, janë munduar në çdo mënyrë e me çdo kusht që të gjejnë prova dhe fakte për të provuar motivin, dashjen dhe qëllimin, si kushte esenciale për cilësimin e veprimeve të z. Shaban GOGAJ si vrasje e rëndë.

4. Përkundër përpjekjeve të tyre dhe mundësive të pakufizuara që kishin në dispozicion Prokuroria, pala e dëmtuar dhe përfaqësuesi i tyre për rreth 2 vite e gjysmë, ata nuk arritën të sigurojnë qoftë edhe një provë të vetme që provon ekzistimin e motivit, dashjes dhe qëllimit të z. Shaban GOGAJ për ta privuar nga jeta tashmë të ndjerin Agonis TETAJ dhe për të rrezikuar jetën e kolegëve të tij.

5. Në mungesë të ekzistimit të motivit, dashjes dhe qëllimit, kushdo prokuror i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm do të duhej të ricilësonte veprimet e z. Shaban GOGAJ si vrasje nga pakujdesia, sepse vetëm duke vepruar kështu do të vihej në vend drejtësia.

6. Është fakt notor se roli i Prokurorisë nuk është vetëm për të mbrojtur interesat e palës së dëmtuar, por po ashtu ka detyrim ligjor që të mbrojë edhe të drejtat kushtetuese të palës së akuzuar dhe të kujdeset që me kujdes e përkushtim të njëjtë të vlerësojë provat fajësuese dhe shfajësuese për këdo të akuzuar.

7. Të gjithë ata juristë, e pseudo-juristë që pretendojnë se në rastin konkret kishte prova që provojnë ekzistimin e motivit, dashjes dhe qëllimit të z. Shaban GOGAJ për ta privuar nga jeta tashmë të ndjerin Agonis TETAJ i ftoj që fillimisht të analizojnë të gjitha provat e siguruara gjatë hetimit dhe të administruara gjatë gjykimit, të shikojnë video-incizimet që nga ora 7 e mëngjesit e deri në momentin kritik të ditës tragjike dhe vetëm atëherë të provojnë të nxjerrin konkludime për cilësimin e drejtë dhe të saktë të veprimeve të z. Shaban GOGAJ.

8. I bindur se ricilësimi i veprimeve të z. Shaban GOGAJ nga Vrasje e rëndë në Vrasje nga pakujdesia ishte veprim dhe vendim i drejtë dhe i ligjshëm, e ftoj për përballje publike këdo ekspert të fushës, si dhe ata që mendojnë se marrin vesh nga drejtësia, e që po kanë dyshime se ricilësimi i veprimeve të z. Shaban GOGAJ është bërë në mënyrë të kundërligjshme dhe pa mbështetje ligjore nga Prokuroria./Gazeta Sinjali/