Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se është vendosur që të shfuqizohet vendimi për ndalimin e lëvizjes së shpezëve në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.
Ata kanë bërë të ditur se në bazë të vlerësimeve për situatën epizootiologjike kanë ardhur në përfundim se Gripi i Shpezëve është menaxhuar me sukses dhe është mposhtur.
AUV thotë se janë plotësuar kushtet veterinare dhe afatet kohore ligjore për të liruar masat kundër sëmundjes, meqë rasti i fundit pozitiv i diagnostikuar nga Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë është regjistruar më 20.06.2021.
Bazuar në vendimin e AUV nga sot lejohet lëvizja dhe tregtimi i shpezëve në gjithë territorin e Kosovës.
Lëvizja dhe tregtimi i shpezëve duhet të bëhet gjithmonë duke respektuar rregullat për transport dhe shitje të përcaktuara me legjislacionin në fuqi./Gazeta Sinjali/