image Autoriteti i Aviacionit Civil largon nga puna drejtoreshën me 17 vjet përvojë, reagon sindikata

Kosovë

Autoriteti i Aviacionit Civil largon nga puna drejtoreshën me 17 vjet përvojë, reagon sindikata

news image

Komisioni disiplinor i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), ka larguar nga puna një drejtoreshë, e cila ka 17 vjet përvojë punë në aviacion dhe ishte pjesë e ekipit themelues të AAC-së në vitin 2008, shkruan Gazeta Sinjali.

Ky vendim i AAC nxiti reagimin e Sindikatës së Punëtorëve të këtij autoriteti, të cilët kanë cilësuar si tendencioz dhe të padrejtë.

“Largimin e saj, përmes një vendimi me arsyetim të pabazuar dhe tendencioz, përveç që dëmton atë personalisht, sindikata e sheh si sulm ndaj profesionalizmit të stafit të AAC-së dhe vetë institucionit”, thuhet në reagim.

Sipas kësaj sindikate, ky vendim nuk është rast i izoluar, por është një kulturë e krijuar së fundi brenda AAC-së, e fokusuar në ndëshkim dhe fajësim, që sipas tyre po ndikon edhe në punën profesionale të AAC-së.

“Brenda një periudhe 4-mujore, 6 procedura disiplinore (5 për shkelje të rënda) janë inicuar nga menaxhmenti i lartë i AAC-së ndaj punëtorëve me kontribut të theksuar në këtë institucion, nga të cilat 4 kanë përfunduar me masa displinore, duke filluar nga vëretjet me shkrim, ndalje të pjesshme të pagës e deri te largimi nga shërbimi civil. Potencojmë se këta numra janë alarmantë kur merret parasysh se stafi i AAC-së përbëhet nga vetëm 28 profesionistë, shumica e gjerë me kualifikime postdiplomike dhe përvojë të gjatë në shërbimin civil dhe aviacion në përgjithësi”, thuhet në reagim.

Sindikata ka bërë të ditur se stafi profesional i AAC-së, i ndërtuar me mund për shumë vjet dhe me shumë investim, është veçanërisht nën presion të theksuar, gjë që mund të ketë pasoja serioze edhe në mbikëqyrjen e industrisë së aviacionit civil në Kosovë.

Sindikata ka vënë në dukje se veprimet e tilla janë në kundërshtim me kulturën e drejtë (just culture) që promovohet në aviacionin civil dhe të cilën AAC-ja është e obliguar ta respektojë si kërkesë që buron nga standardet ndërkombëtare, të cilat vetë AAC-ja është e zotuar t’i zbatojë dhe mbikëqyrë te operatorët që i rregullon.

“I bëjmë thirrje Këshillit të pavarur mbikëqyrës të shërbimit civil dhe institucioneve të drejtësisë që t’i shqyrtojnë me përpikëri ankesat që po u drejtohen për të ndërprerë shkeljen e të drejtave të punëtorëve, ndërsa nga institucionet mbikëqyrëse – ministri i Infrastrukturës, Kuvendi i Kosovës dhe Bordi i AAC-së – që të monitorojnë me vëmendje situatën e krijuar dhe vendimet jo të drejta e të dëmshme ndaj personelit të AAC-së dhe punës profesionale që bëhet në këtë institucion”, thuhet ndër të tjera në reagim./Gazeta Sinjali/