Një ndeshje miqësore para Kupës së Botës, në të cilën do të merrte pjesë Republika Demokratike e Kongos, është anuluar nga kryetari i bashkisë së qytetit spanjoll ku do të zhvillohej, për shkak të shqetësimeve shëndetësore lidhur me shpërthimin e Ebolës në vendin afrikan.
“Kam nënshkruar dekretin për ndalimin e zhvillimit të ndeshjes së 9 qershorit mes Republikës Demokratike të Kongos dhe Kilit”, tha Juan Franco, kryetar i bashkisë së La Línea de la Concepción në jug të Spanjës.
Franco theksoi se vendimi është marrë si masë parandaluese dhe se ai ka ndjekur rekomandimet e shërbimit shëndetësor të qeverisë rajonale të Andaluzisë.
Kryetari i bashkisë së La Línea, një qytet me rreth 65 mijë banorë pranë kufirit me Gjibraltarin, shtoi se edhe shefi i shërbimit mjekësor të komunës kishte këshilluar mosmbajtjen e ndeshjes, raporton theguardian – transmeton Sinjali.
“Një raport i shefit të shërbimit shëndetësor të bashkisë së La Línea këshilloi kategorikisht kundër organizimit të ndeshjes, duke pasur parasysh rreziqet shëndetësore që mund të shfaqen”, deklaroi ai.
Republika Demokratike e Kongos, që është kualifikuar për Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 1974 (atëherë si Zaire), kishte planifikuar të luante një miqësore ndaj Danimarkës në Liège të Belgjikës të mërkurën.
Skuadra ka anuluar një kamp përgatitor në vendin e saj pas shpërthimit të Ebolës muajin e kaluar, duke u vendosur përkohësisht në Belgjikë.
Shpërthimi i kësaj sëmundjeje ngjitëse hemorragjike është regjistruar në lindje të DRC-së në mes të majit.
Më 22 maj, autoritetet amerikane kanë kërkuar që ekipi i Kongos të vetizolohet për 21 ditë para se të lejohet hyrja në SHBA për Kupën e Botës, e cila zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Ekipi planifikon të jetë i vendosur në Houston, ku do të zhvillojë ndeshjen e parë të Grupit K më 17 qershor kundër Portugalisë. Më pas, ata do të luajnë ndaj Kolumbisë në Guadalajara më 24 qershor dhe ndaj Uzbekistanit në Atlanta më 28 qershor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!