Qyteti i Mineapolisit në Amerikë të premten ra dakord që t’i paguajë 27 milionë dollarë familjes së George Floydit në rastin gjyqësor të paraqitur lidhur me vdekjen e tij në duart e Policisë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Sinjali.
Floyd i cili ishte burrë me ngjyrë i moshës 46-vjeçare, vdiq në maj të vitit të kaluar pasi që polici Derek Chauvin ia mbajti gjurin mbi qafë më shumë se tetë minuta.
Disa qytetarë kishin incizuar thirrjet e viktimës për ndihmë ku videoja u përhap në mbarë botën, duke nxitur kështu protesta jo vetëm në SHBA, por edhe në vende të tjera.
Njëri nga avokatët e familjes së Floydit,Benjamin Crump, tha se kjo marrëveshje është më e madhja e këtij lloji në një padi për vdekje joligjore në historinë e Shteteve të Bashkuara.
“Sasia e dëmshpërblimit thekson që vdekja e një personi me ngjyrë në duart e policisë nuk do të shkruhet më si gjë e vogël, e parëndësishme apo që nuk ia vlen për pasoja”, tha avokati Crump gjatë një konference për gazetarë, i shoqëruar të të afërmit e viktimës, kryetari i Mineapolisit, Jacob Frey, dhe zyrtarë tjerë.
Familja e Floydit përmes një deklarate tha se është e kënaqur që kjo tragjedi është zgjidhur në rrugën e drejtësisë.
“Përderisa zemrat tona janë të thyera, ne jemi të ngushëlluar që e dimë se edhe në vdekje, George Floyd i tregoi botës si të jetohet”, thuhet në deklaratë./Gazeta Sinjali/