Australia ia ka anuluar vizën tenistit serb, Novak Gjokoviq për të dytën herë me radhë.
Vendimi i ministrit për Migrim të Australisë, Alex Hawke nënkupton se tani Gjokoviq përballet me dëbim nga shteti.
Megjithatë, tenisti 34-vjeçar ende mund të apelojë vendimin për të qëndruar në Australi.
Tenisti numër një në botë në kategorinë e meshkujve ishte paraparë që të luante në turneun Australian Open, që nisi të hënën.
Fillimisht Gjokoviqit i ishte anuluar viza pasi arriti në Melbourne më 6 janar. Autoritetet kufitare gjetën se ai kishte “dështuar që të ofronte të dhëna të duhura” për një përjashtim mjekësor, që i mundësonte t’i shmangej rregullave për koronavirus.
Në Australi ka pasur zemërim të madh të publikut, pasi ky shtet ka pasur disa nga rregullat më strikte kundër pandemisë.
Gjokoviqi ishte ndaluar dhe kishte qëndruar për disa orë në aeroport ku kishte kaluar në kontrollet e migracionit. Më pas ai qëndroi disa ditë në një hotel të shndërruar në qendër për migrantë.
Disa ditë më vonë, një gjykatës hodhi poshtë vendimin e autoriteteve për anulimin e vizës dhe urdhëroi lirimin e tij, duke thënë në vendim se zyrtarët kufitarë kishin injoruar procedurat gjatë arritjes së Gjokoviqit në Australi.