Australia ka hequr të hënën kufizimet për udhëtime ndërkombëtare, për herë të parë prej shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, duke ua mundësuar personave të vaksinuar që të bashkohen me familjet e tyre.
Pas më shumë se 18 muajve të politikave më të ashpra në botë ndaj pandemisë, miliona australianë tani janë të lirë për të udhëtuar pa leje apo pa nevojë që t’i nënshtrohen karantinës kur të kthehen në Australi.
Pasagjerët e udhëtimeve nga Singapori dhe Los Angeles, kanë arritur në Sidney në mëngjesin e së hënës, të mirëpritur nga familjarë dhe miq që nuk i kanë parë për disa muaj.
“Pak me frikë dhe gëzim, kam ardhur në shtëpi për ta takuar nënën, sepse ajo nuk është mirë”, ka thënë Ethan Carner, që ka udhëtuar nga Los Angeles, shkruan REL.
Kufizimet e ashpra për 18 muaj ua kanë pamundësuar australianëve që të marrin pjesë në organizime të ndryshme, përfshirë dasma dhe funerale, si dhe u është pamundësuar takimet me familjarë dhe shokë.
Ndonëse përhapja e variantit Delta të koronavirusit ka mbajtur nën izolim Sidney dhe Melbourne për disa muaj, numri i të infektuarve me koronavirus në Australi është shumë më i vogël sesa i vendeve tjera.
Deri më 31 tetor, autoritetet australiane kanë regjistruar 170 mijë e 500 persona të infektuar dhe 1 mijë e 743 viktima./GazetaSinjali/