Një 27-vjeçare në Australi është duke u hetuar, pasi dyshohet se ka ushtruar profesionin e mjekës, pa qenë e certifikuar.
Mediat australiane raportojnë se e dyshuara punoi për tetë muaj në spitalin “Bankstown-Lidcombe”, shkruan BBC, përcjell Gazeta Sinjali.
Por spitali tha se zbuloi që ajo nuk ishte e regjistruar në organin për akreditimin e stafit mjekësor në vend. Policia e rajonit të Uellsit të Ri Jugor i ka nisur hetimet për këtë rast.
Një zëdhënëse e spitalit tha përmes një deklarate se një punëtore e angazhuar në spital nga janari është liruar menjëherë nga detyra, kur autoritetet kuptuan të hënën se ajo nuk ishte e akredituar.
Në deklaratë shtohet se e dyshuara ishte plotësisht e mbikëqyrur gjatë tërë kohës sa punoi në spitalin e ndodhur në jugperëndim të qytetit Sydney.
Sipas mediumit 7News, gruaja që punoi në spital kishte dështuar në provimet e fundit dhe i kishte falsifikuar dokumentet për t’u angazhuar si mjeke e re.
Ajo mund të përballet me akuzën për mashtrim, ndonëse deri më tani nuk ka ndonjë veprim nga prokuroria./Gazeta Sinjali/