image Auditori gjen shkelje në Ministrinë e Mbrojtjes

Kosovë

Auditori gjen shkelje në Ministrinë e Mbrojtjes

news image

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur disa shkelje në pasqyrat financiare të Ministrisë së Mbrojtës gjatë vitit 2019.

Deputeti i autorizuar për raportin e auditimit në komisionin për mbikëqyrjen e financave, Sejdi Hoxha tha se në menaxhimin financiar dhe të kontrollit, auditori ka theksuar kategoritë ekonomike, auditimi i brendshëm dhe menaxhimi i pasurisë, pagat dhe mëditjet.

“Kanë qenë 3 raste deri 30 ditë nuk janë paraqitur në punë, përzgjedhja mosofrimi i dokumentacioneve për atasheut ushtarak, ka kërkuar një procedurë në rekrutimin dhe nga tri raste nuk u është ofruar dokumentacioni. Mallra dhe shërbime mosaplikimi i procedurave të përshpejtuara për kryerjen e shërbimeve, ku ministria i ka bërë pa hapur konkurs publik. Skadimi i kontratës për shkollim të kadetëve, si pasojë, ministria ka vazhduar me porosi të shërbimeve me të njëjtin operatorë”, tha ai.

Sipas këtij raporti, mungesa e vlerësimit për mirëmbajtje të objekteve të FSK-së, janë shpenzuar 597 milionë dhe ministria nuk ka bërë një vlerësim normal për nevoja të objekteve.

“Mungesa e komisioneve për pranimin e furnizimeve, tri raste ku pranimi vjen nga menaxheri apo nënmenagjeri i pranimit të kontratës. Ndërsa, Aeroporti i Gjakovës, është transferuar në regjistrin e pasurive pa dokumentacion. Gjetja tjetër është mosprotokolimi i faturave. Kemi një rast që me kontratë mbi vepër është angazhuar një auditorë i brendshëm”, ka shtuar ai.

Ministri i Mbrojtjes, Anton Çuni para anëtarëve të komisionit, tha se ky raport i auditimit dhe të gjeturat e saj nuk janë gjatë mandatit të tij, meqë sipas tij, ky raport është i vitit 2019. Megjithatë theksoi se këto duhet të merren seriozisht.

“Të gjeturat kur bëhen krahasimi me vitin 2019 dhe 2020 do të jenë të vogla. Do të impresionoheni, unë do të marrë përgjegjësinë, ne i marrim me seriozitetin më të madh, por jo me shqetësim se është diçka e pamundur. Jam i bindur se në vitin 2021 kur do të bëhet, këto nuk do të përsëriten”, u shpreh ai.

Ndërkohë, komandanti i FSK-së, Rrahman Rama tha se këto gjetje nuk kanë të bëjnë me keqmenaxhim apo keqpërdorim të parasë publike./Gazeta Sinjali/