Hashim Thaçi si president i Kosovës, nuk ka ngurruar aspak që t’i përshëndesë në një ceremoni festive për nder të 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës gjatë ditës së djeshme tre personat që publikisht gjatë karrierës së tyre kishin urryer Hashim Thaçin. Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Gjergj Dedaj mbrëmë një njërën dorë mbanin gotën me verë, ndërsa me tjetrën e përshëndetën Thaçin.
Shtrëngimi i duarve mes Hashim Thaçit dhe Albin Kurtit nuk është më tabu. Tashmë është hera e dytë që prej kur Kurti fitoi zgjedhet që shtrëngon duart me Thaçin. Përderisa takimi i parë zyrtar mes Kurtit dhe Thaçit kishte qenë muaj më parë për t’u konsultuar për formimin e qeverisë, mbrëmë situata ishte më ndryshe.
Teksa Kurti po merrte pjesë në një ceremoni për 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Hashim Thaçi kishte filluar t’i përshëndeste me radhë shumicën e të pranishmëve.
Aty kishte qenë edhe Albin Kurti së bashku me bashkëshorten e tij. Kurti për një moment gotën me verë e zhvendosi në dorën tjetër për shkak se me dorën e djathtë do ta përshëndeste Hashim Thaçin.
E dikur rivaliteti mes Kurtit dhe Thaçin kalonte shpesh herë edhe në ofendime.
“U tha që po ju ofendoj dhe mos u zgërdhini. U tha që po ju ofendoj, por nuk mund të ju ofendoj juve, përderisa ju nuk keni dinjitet. Ofendimi presupuzon që objekti në anën tjetër ka dinjitet. Unë çfarë konstatimi që bëjë për juve nuk mund të ju ofendoj. Nëse thoni që po ju ofendoj, ju po gënjeni. Nuk jam duke ju ofenduar, por jam duke konstatuar ashtu siç jeni, pra paqavër”, i drejtohej Kurti, Thaçit vite më parë.
Në fakt Kurti nuk kishte qenë i vetmi që kishte shtrënguar rrallë duart me Thaçin. Në të njëjtën pozitë kishte qenë edhe Vjosa Osmani që tashmë ka fituar postin e kryeparlamentarës së Kosovës.
Vjosa Osmani së bashku me bashkëshortin e saj përshëndetën presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, ndaj të cilit kjo e fundit kishte qenë e zëshme me kritika.
Përderisa, raporti prej rivalesh i Osmanit e i Kurtit me Thaçin ishte vetëm në aspektin politik, Gjergj Dedaj, kishte pretenduar vite më parë se është torturuar nga Hashim Thaçi.
Pretendimet e tij shkonin sa që thoshte se Hashim Thaçi e kishte torturuar duke e futur edhe në bunar.
“Në vitin 1998 Thaçi e ka ndalur delegacionin e shtetit të Kosovës. Unë isha nënkryetar i Kuvendit. Ishim në vizitë në zonat e luftës. Na ka ndalu Hashim Thaçi me njerëzit e tij. Tha jeni të arrestuar. Arsyeja, thjesht që jeni parti politike që e përkrahni presidentin historik Ibrahim Rugova. Ka pas malltretim fizik, psiqik, moral…disa anëtarë të delegacionit janë torturu edhe fizikisht. Edhe unë jam malltretu fizikisht. Ai edhe na ka marrë në pyetje, na ka bërë presion. Është një krim, e jo një incident”, kishte rrëfyer Dedaj në emisionin në dhjetorin e vitit 2011, pak ditë pasi Thaçi e kishte shkarkuar nga pozita e zëvendësministrit të Transportit./Gazeta Sinjali/