Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në këtë periudhë të vitit krahasuar me vitin 2019 do të ketë rënie të të hyrave për 43 milionë euro.
Drejtori i ATK-së Ilir Myrtezaj është shprehur se për këtë periudhë kanë planifikuar 195 milionë euro të hyra po që për shkak të pandemisë ato nuk janë realizuar.
“Përveç ndikimit negativ në ekonomitë ose në bizneset që i kemi, ndikim negativ kemi edhe në aspektin e të hyrave për Administratën Tatimore të Kosovës. Nëse bëjmë krahasimin me periudhën e njëjtë nga 1 janari deri më 23 prill të 2020 me periudhën e njëjtë të vitit 2019 kemi një rënie të të hyrave për rreth 43 milionë euro apo më saktësisht 42.9 milionë euro”, ka thënë Myrtezaj.
“Kurse nëse e shohim me trendin që kemi pasur deri më datën 18 mars kemi pasur një rritje të hyrës për 11.2 % në raport në raport me vitin 2019, apo 3,62 % në raport me planin. Atëherë ish dashur që të presim të hyra për 62.5 milionë euro më tepër sesa që kemi aktualisht, më saktësisht deri tani ishte dashur të kemi rreth 195 milionë euro të hyra”, tha Myrtezaj për EO.
Myrtezaj është shprehur se edhe shtyrja për pagesa të tatimeve nga bizneset deri më datën 30 qershor, do të ndikojë në rënien direkte të të hyrave.
“Me datën 29 mars që ministri i Financave dhe Transfereve ka marrë vendim për zgjatje të afatit për deklarim dhe pagesa për të gjitha llojet e tatimeve dhe ai vendim përfundon me datën 30 prill. Ndërsa ministri i financave ka nënshkruar një vendim tjetër i cili e redukton llojet e tatimeve për të cilat zgjatet afati i deklarimit të pagesave tanimë ato zgjatje kanë të bëjnë vetëm me tatimet që paguhen si paradhënie për tatimin në të ardhurat e korporatave, tatimi në të ardhura individuale si dhe për bizneset e vogla individuale”, deklaroi ai.
“Dhe ky vendim zgjatet deri më 30 qershor, sigurisht që do të reflektoj edhe në të hyra. Mirëpo presim që reduktimi të jetë më i vogël se sa aktualisht ka qenë gjatë muajit prill për shkak se në muajin mars dhe prill kemi pasur shtyrje për të gjitha llojet e tatimeve”, theksoi ai.
Më tutje Myrtezaj ka thënë se ende nuk kanë parashikuar si do të mblidhen tatimet që janë shtyrë deri më datën 30 qershor..
“Jemi në një situatë kur nuk mund të parashikohen të gjitha rrethanat dhe ne dimë e para që do të kemi afektim negativ tek bizneset dhe ato janë motori i cili gjeneron të hyrat për buxhetin e shtetit, dhe nëse s’ka motor atëherë edhe pritjet janë të kota për të pasur të hyra. Mirëpo po shpresojmë që sa më shpejtë të përfundoj kjo pandemi dhe efekti i ndikimit negativ te bizneset të jetë sa më i vogël”, tha Myrtezaj.