image ATK i paralajmëron hotelerinë dhe gastronominë për ikje nga tatimet - Sinjali

ATK i paralajmëron hotelerinë dhe gastronominë për ikje nga tatimet

news image

Administrata Tatimore e Kosovës i ka paralajmëruar për monitorim specifik sektorin e gastronomisë dhe hotelerisë, për shkak të mos-përmbushjes së madhe të detyrimeve tatimore.

Përmes një postimi në Facebook, ATK ka thënë se në këtë industri s’mbahen evidenca të mbrëmjeve muzikore e as nuk lëshohen kuponë fiskalë.

“Industria e Akomodimit dhe Shërbimit Ushqimor (gastronomi/hoteleri), bazuar në të dhënat e përmbushjes gjatë vitit 2021, renditet si njëra ndër industritë me nivel të lartë të mos-përmbushjes së detyrimeve tatimore, andaj edhe është pjesë e planeve specifike të përmbushjes për grupet e identifikuara me rreziqe të larta për vitin 2021. Ndër problemet më specifike, të dala nga sistemet dhe modulet e ndërtuara përbrenda ATK-së, të cilat kanë kontribuar në këtë përzgjedhje të trajtimit të kësaj industrie janë: pagesa përgjithësisht të ulëta, me një kontribut të vogël në të hyra, pavarësisht numrit të madh të tyre; mos-deklarimi i punëtorëve dhe pagesa cash e tyre; mos-deklarimi apo nën-deklarimi i ahengjeve dhe mos-mbajtja e evidencave lidhur me këngëtarët gjatë mbrëmjeve muzikore; mos-lëshimi i kuponëve fiskal; pagesat po ashtu në Cash të realizuara në mes të konsumatorëve dhe bizneseve gjatë organizimit të ahengjeve të ndryshme; si dhe mos mbajtja e tatimit në qira apo nën-deklarimi i saj”, thuhet në postim.

ATK ka kërkuar që tatimpaguesit t’i kryejnë përgjegjësitë e kërkuara tatimore që të mos ndëshkohen.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin