Shtetasit e Kosovës që jetojnë në vendet evropiane, e që cilësohen si vende me rrezik të lartë për përhapjen e COVID-19, dhe që tashmë janë nisur për të ardhur në vendlindje për të votuar për zgjedhjet e 14 shkurtit do t’u kërkohet testi PCR negativ për COVID-19 i bërë në 72 orët e fundit.
Bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës, të marrë të enjten tri ditë para zgjedhjeve, përjashtim nga ky vendim bëjnë qytetarët që zotohen se do të largohen nga Kosova për tri orë. Po ashtu përjashtim bëjnë qytetarët e huaj si transportues profesionistë dhe ata që shfrytëzojnë Kosovën për rrugë transit.
Ata që hyjnë në Kosovë e që nuk kanë testin COVID-19, duhet të vetizolohen për shtatë ditë. Përjashtim këtu bëjnë qytetarët që kanë dalë nga Kosova në 24 orët e fundit.
Dje dhe sot janë publikuar video të shumta të mërgimtarëve që shihen duke udhëtuar drejt Kosovës për të dhënë votën për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Masat e reja:
Hyrjet e qytetarëve të huaj dhe vendorë në Kosovë
Qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për Covid-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit.
Përjashtim nga pika 1 më lartë bëjnë:
Nëse qytetari i huaj hynë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohet nga Kosova brenda 3 ore përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajnë deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda 3 ore;
Qytetarët e huaj që punojnë si transportues profesionistë (vozitësit), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga Covid-19;
Qytetarët e huaj që kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda 5 orësh;
Diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë si dhe familjarët e tyre;
Të gjithë qytetarët e Kosovës (përfshirë edhe ata me vendbanim në një shtet tjetër), gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë, në të kundërtën duhet të vetë-izolohen për 7 ditë.
Përjashtim nga pika 3 më lartë bëjnë qytetarët e Kosovës (përfshirë edhe ata me vendbanim në një shtet tjetër) që kanë dalë jashtë Kosovës në 24 orët e fundit./Gazeta Sinjali/