image Asnjë përparim në dialogun Kosovë-Serbi

Politikë

Asnjë përparim në dialogun Kosovë-Serbi

news image

Në Bruksel ka përfunduar takimi mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga BE-ja, por përveç diskutimeve për dallimet që kanë palët, asnjë vendim nuk është arritur.

Si zakonisht, në përfundim të bisedimeve, të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve të kaluara në kuadër të dialogut.

Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i ngarkuar me çështjen e dialogut, tha se në takim është diskutuar për marrëveshjet e arritura deri tani në kuadër të dialogut dhe për vërejtjet që kanë palët në lidhje me zbatimin e tyre.

“Ne kemi parashtruar ato vërejtje për marrëveshjet në lidhje me hapat e deritanishëm të Serbisë, për shembull për marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit, njohjen e diplomave, lirinë e lëvizjes, pastaj marrëveshjen e fusnotës, pasi kemi parë që pala serbe nuk i ka përmbushur obligimet e saj”, tha Bislimi.

Ndërsa, drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, njëherësh udhëheqës i delegacionit serb, tha se pala e Kosovës asnjëherë gjatë bisedimeve nuk e përmendi çështjen e të zhdukurve ose formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, raporton REL.

“Ne u kemi thënë atyre se Asociacioni është kusht mbi kushtet nëse duam të ecim tutje. Asociacioni nënkupton realizimin e të gjitha të drejtave të qytetarëve serbë, sepse incidente të shumta janë vetëm provë se sa i nevojshëm është formimi i tij”, tha Petkoviq.

Ai pretendoi se pala serbe ka përmbushur pothuajse të gjitha marrëveshjet në kuadër të dialogut dhe se ankesat e delegacionit të Kosovës kishin të bënin kryesisht me çështje teknike të zbatimit të tyre.

I dërguari i posaçëm i BE-së për çështjen e dialogut, Miroslav Lajçak, i quajti përmbajtësore diskutimet. Ai fillimisht kishte zhvilluar takime të veçanta me të dyja delegacionet – të martën me të Kosovës dhe të mërkurën me të Serbisë – ndërsa më pas është mbajtur takimi tre-palësh mes tij dhe zyrtarëve nga të dyja delegacionet.

“Diskutime të gjerë për elementet e dialogut, marrëveshjet e kaluara, çështjet aktuale dhe hapat e ardhshëm në drejtim të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Bisedimet e sotme mes delegacioneve negociuese janë të parat në këtë nivel që nga takimi i parë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 15 qershor.

Më herët ishte thënë se delegacionet do të përgatisin edhe mbajtjen e takimit të ardhshëm mes dy liderëve, i paraparë për në fund të muajit korrik, por zëvëndëskryeministri Bislimi tha se për këtë çështje do të diskutohet gjatë javës së ardhshme në formën online.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011, si dialog për çështje teknike, për të evoluuar më pas në dialog të nivelit politik.

Derisa Kosova ia përmend Serbisë disa ngecje në zbatimin e një sërë marrëveshjeve, pala serbe insiston më së shumti në themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është arritur në kuadër të dialogut të Brukselit, në vitin 2013, e cila marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Në vitin 2015, sërish është arritur një marrëveshje shtesë lidhur me formimin e Asociacionin, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vlerësuar që shumë pika të kësaj marrëveshje nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e vendit./Gazeta Sinjali/