Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zhvilloi të premten një takim me këshilltarët e tij më të lartë për të marrë një “vendim përfundimtar” lidhur me një kornizë për zgjatjen e armëpushimit me Iranin, por takimi përfundoi pa qartësi mbi hapat e ardhshëm.
Trump deklaroi se Irani duhet të pajtohet që të mos ketë kurrë armë apo bombë bërthamore, që Ngushtica e Hormuzit të rihapet për “trafik të pakufizuar detar, në të dy drejtimet” dhe që çdo minë detare në këtë rrugë ujore të shkatërrohet.
Takimi u mbajt në “Situation Room” të Shtëpisë së Bardhë, e cila përdoret për menaxhimin e krizave të mëdha. Ndërkohë, Irani deklaroi më herët se nuk po negocion për programin e tij bërthamor, për të cilin këmbëngul se ka vetëm qëllime civile.
Sipas zyrtarëve amerikanë, të enjten të dyja vendet kishin rënë dakord për një kornizë marrëveshjeje – të njohur si memorandum mirëkuptimi – e cila priste miratimin e Trumpit dhe udhëheqjes iraniane.
Marrëveshja do të zgjaste armëpushimin për 60 ditë dhe do të hapte bisedimet për të ardhmen e programit bërthamor të Iranit.
“Presidenti Trump do të bëjë vetëm një marrëveshje që është e mirë për Amerikën dhe që respekton vijat e tij të kuqe. Irani nuk mund të zotërojë kurrë armë bërthamore”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CBS News, partnerin amerikan të BBC-së.
Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 8 prill, Trump ka deklaruar vazhdimisht se SHBA-ja dhe Irani janë pranë një marrëveshjeje dhe se negociatat po përparojnë, por deri më tani nuk ka pasur rezultate konkrete.
Në një postim në rrjetet sociale të premten, Trump tha se ishte i gatshëm të hiqte bllokadën detare amerikane në Ngushticën e Hormuzit, duke u lejuar anijeve të bllokuara aty që “të nisin procesin e kthimit në shtëpi”.
Ai gjithashtu këmbënguli që Irani t’i lejojë SHBA-së të largojë dhe shkatërrojë uraniumin e pasuruar.
“Nuk do të shkëmbehen para, deri në një njoftim tjetër. Për çështje të tjera, me rëndësi shumë më të vogël, është arritur marrëveshje”, tha Trump.
Më vonë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi për BBC-në se takimi në “Situation Room” kishte përfunduar, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Agjencia iraniane e lajmeve Fars, duke cituar burime të informuara, tha se komentet e fundit të Trumpit ishin një “përzierje e së vërtetës dhe gënjeshtrave”.
Sipas agjencisë, memorandumi i mirëkuptimit nuk përfshinte asnjë dispozitë për shkatërrimin e materialeve bërthamore.
Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, deklaroi për televizionin shtetëror se vendi është “i përqendruar në përfundimin e luftës dhe nuk ka negociata për çështjen bërthamore”.
SHBA-ja prej kohësh kërkon që Irani të ndalojë prodhimin e uraniumit të pasuruar në nivele të larta dhe të heqë dorë nga rezervat ekzistuese, të cilat teorikisht mund të përdoren për krijimin e armëve bërthamore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!