KF Llapi ka reaguar pasi përzgjedhësi i Përfaqësueses U17 të Kosovës, Arsim Abazi, nuk ka ftuar asnjë futbollist nga klubi llapjan.
Klubi nga Podujeva është ankuar se Abazi ka ftuar nga katër futbollistë të një skuadre, edhe pse sipas tyre “cilësia e futbollistëve të Llapit është më e madhe se e klubeve tjera”.
Mos-ftesën e futbollistëve nga KF Llapi, ky klub e ka cilësuar si të padrejtë.
KF Llapi i ka bërë thirrje përzgjedhësit dhe stafit të tij që të kthejnë sytë nga djelmoshat e akademisë së këtij klubi.
Reagimi i plotë nga KF Llapi (pa ndërhyrje):
“Klubi Futbollistik “Llapi” reagon ndaj grumbullimit të radhës së Përfaqësueses së Kosovës U-17 dhe përzgjedhësit Arsim Abazi për mosftesën e asnjë lojtari të grupmoshës U-17 të KF “Llapi” edhe pse nga klube tjera ka edhe nga 4 futbollistë të thirrur, ani pse cilësia e futbollistëve tanë në krahasim me disa futbollistë të klubeve tjera me plotë bindje themi se është shumë më e madhe. Kjo nuk është hera e parë sepse edhe në grumbullimet e kaluara kjo gjë i ka ndodhur futbollistëve të Akademisë së futbollit “Llapi”.
Mendojmë se kjo është një padrejtësi e madhe kundrejt punës së trajnerëve të Akademisë sonë dhe futbollistëve që me përpikëri kryejnë detyrat si në stërvitje dhe në ndeshje kampionale dhe triumfojnë me rezultate bindëse ndaj klubeve në garat kampionale por kjo siq duket nuk i ka rënë në sy përzgjedhësit Arsim Abazi dhe stafit të tij që jo për dëshirë por po shihet edhe rezultati i ndeshjes (0-2) për Shqipërinë U17.
Me mirëkuptim të plotë kërkojmë nga përzgjedhësi dhe stafi i tij që të kthejnë sytë nga djelmoshat e Akademisë së futbollit “Llapi” të cilët çdo ditë e më shumë po tregojnë rezultate kulminante dhe të cilat janë një pasqyrë reale për t’i grumbulluar me fanellën më të bukur në botë dhe atë që çdo kush ndihet krenar kur e vesh, të Përfaqësueses së Kosovës!”. /Gazeta Sinjali Sporti/