image Askush s'i ndalon tenderët e jashtëligjshëm të qeverisë në largim

Kosovë

Shkelje/ Askush s’i ndalon tenderët e jashtëligjshëm të qeverisë në largim

news image

Tenderët me marrëveshje të negociueshme po i aplikon me të madhe qeveria në largim që nga rënia e saj. Kjo metodë si duket nuk po i pengon as institucioneve që kanë për detyrë t’i mbikqyrin këto procese të tenderimit.

Ministritë dhe institucionet tjera qeveritare kanë nënshkruar kontrata me kompani përmes metodës së negocimit, duke shmangur publikimin e njoftimit për kontratë.

Realizimi i kontratave publike në këtë mënyrë shton dyshimin se kompanitë nuk e fitojnë tenderin, por atë ua jep institucioni sipas qejfit. Në procedurë të rregullt, qeveria apo cilido institucion publik do të duhej ta bënte fillimisht publikimin e njoftimit për kontratë, ku kompanitë do të mund të garonin të barabarta për një tender të caktuar.

Përveç Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, për këtë fenomen të ri nuk ka reaguar as Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, as Agjencia Qendrore e Prokurimi, e as Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Shefi i Departamentit të Tregut në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, Etrit Tetova, ka thënë dje për Gazetën Sinjali se këto institucione janë në dijeni për rritjen e aplikimit të kësaj procedure nga institucionet publike.

“Ata janë në dijeni për këtë rritje rapide të aplikimit të kësaj procedure të prokurimit e shpresojmë se do të ndërmarrin masa për ta frenuar apo ndaluar këtë dukuri”, ka thënë Tetova.

Koordinatori i Departamentit të Monitorimit në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, Fahri Maxhuni, nuk di gjë për këtë punë, megjithëse thotë se janë duke u munduar ta kryejnë detyrën e tyre, pra, t’i përcjellin tenderët e dhënë nga institucionet publike.

“Po mundohemi me i përcjellë. Për këto mundeni me i pyet organet udhëheqëse. Ne e kemi bordin dhe mund të bisedojmë. Unë jam punëtor. Ne e kemi një organ mbikqyrës. Ata i caktojnë politikat dhe ata përgjigjen për këto, prandaj po më vjen keq por jam i zënë, mund të merrni informata nga ta. Kush të adresoj te unë bre? Zotëri, mos u munoni me nxjerrë diçka çfarë nuk është kompetencë e jona. Unë jam përgjegjës, por mua pa më dhënë leje dikush me folë për këtë çështje, unë s’jam i autorizuar. Shko merre numrin e kyretarit, bisedo me ta. Nëse ata mua më autorizojnë, atëherë bisedojmë qysh bisedohet. Hajt se jam tu punu, po më vjen shumë keq, por jam duke punu”, ka thënë Maxhuni për Gazetën Sinjali.

Gazeta ka provuar të kontaktojë edhe me kryetarin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishajn, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit është deklaruar i panjoftuar për këtë metodë tenderimi që po aplikohet nga qeveria në largim.

“Në OSHP nuk kemi pasë ndonjë rast, nuk po e dimë”, kanë thënë nga ky institucion.

Gazeta Sinjali mëson se pavarësisht fenomenit shqetësues, KRPP-ja nuk është takuar me AKK-në për ta diskutuar këtë çështje.

Me rritjen e kësaj procedure të prokurimit, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, qeveria në largim e ka rritur edhe numrin e të punësuarve nëpër ministri.

82 persona janë punësuar nëpër ministri, ndonëse kryeministri në largim dhe disa nga ministrat e qeverisë së tij kishin deklaruar se nuk e dinin pozitën e tyre pas dorëheqjes. Përveç këtyre 82 vetave, janë 156 persona tjerë që ende presin të punësohen nëpër ministri dhe në Zyrën e Kryeministrit, kur kanë mbetur më pak se 3 javë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. /Gazeta Sinjali/