image ASK: Inflacioni vjetor në Kosovë arrin 6%, transporti dhe energjia me rritjen më të madhe

Kosovë

ASK: Inflacioni vjetor në Kosovë arrin 6%, transporti dhe energjia me rritjen më të madhe

news image

Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin qershor 2026, sipas të cilit inflacioni vjetor ka arritur në 6.0%, ndërsa në baza mujore është regjistruar një rënie prej 0.1%.

Sipas ASK-së, rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i transportit me 13.7%, strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse me 11.1%, pijeve alkoolike, duhanit dhe narkotikëve me 5.1%, restoranteve dhe shërbimeve të akomodimit me 4.5%, si dhe shëndetësisë me 4.1%.

Rritje të çmimeve janë regjistruar edhe tek ushqimet dhe pijet joalkoolike me 3.9%, kujdesi personal dhe shërbimet e ndryshme me 3.2%, mobiljet dhe pajisjet shtëpiake me 3.0%, veshjet dhe këpucët me 2.3%, rekreacioni, sporti dhe kultura me 2.0%, si dhe informacioni dhe komunikimi me 0.2%.

Nga ana tjetër, ulje vjetore e çmimeve është regjistruar vetëm te shërbimet arsimore, me 0.6%.

Krahasuar me muajin maj, indeksi i çmimeve të konsumit ka shënuar rënie mesatare prej 0.1%. Kjo është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 0.6%, si dhe e strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve djegëse me 0.3%.

Ndërkohë, në baza mujore janë shënuar rritje të çmimeve në rekreacion, sport dhe kulturë (0.8%), shërbimet arsimore (0.5%), kujdesi personal dhe shërbimet e ndryshme (0.4%), transporti (0.3%), pije alkoolike, duhani dhe narkotikët (0.2%), mobiliet dhe pajisjet shtëpiake (0.2%), restorantet dhe shërbimet e akomodimit (0.2%), veshjet dhe këpucët (0.1%%), si dhe shëndetësia (0.1%).

ASK-ja njofton se publikimi është realizuar duke zbatuar klasifikimin e ri COICOP 2018, me vit bazë 2025 = 100 dhe metodologji të përditësuar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/