image ASHAK reagon për rezultatet e testit PISA: Politizimi shkaktoi kaosin, fajtorë janë njësoj si pozita dhe opozita

Arsim

ASHAK reagon për rezultatet e testit PISA: Politizimi shkaktoi kaosin, fajtorë janë njësoj si pozita dhe opozita

news image

Akademia e Shkencave të Kosovës ka reaguar për gjendjen në arsim pas publikimit të rezultateve të Testit PISA. Për ASHAK kjo ishte e pritshme dhe se ky test ka nxjerrë në sipërfaqe një vlerësim jo pozitiv për gjendjen e arsimit në Kosovë.

Ata kanë pasur kritika edhe për menaxhimin e sistemit arsimor, teksa vlerësuan që gjendja në këtë sektor është alarmante.

“Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) edhe më herët ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen e rëndë në arsimin e Kosovës në të gjitha nivelet. Para më shumë se dy vjetësh ASHAK hartoi një platformë, me anë të së cilës u përpoq të tërhiqte vëmendjen për gjendjen jo të mirë në arsim, në mësimdhënie dhe në mësimnxënie. Tani, ashtu sikundër pritej, testi i PISA-s nxori në sipërfaqe një vlerësim jo pozitiv për gjendjen e arsimit në Kosovë. Të gjithë në një mënyrë ishim të vetëdijshëm se kjo do të ndodhte, se situatën në arsim e kemi alarmante, vetëm se ne nuk duam të kuptojmë se, në një mënyrë ose në një tjetër, të gjithë jemi përgjegjës për një gjendje të këtillë: shoqëria dhe shteti; çdo organizëm shoqëror; të gjithë segmentet e tij; vetë sistemi arsimor, nxënësit, arsimtarët, prindërit, institucionet vendimmarrës dhe ligjzbatuese. Në emër të një demokracie të keqkuptuar, ne e kemi liberalizuar shkollën aq shumë, sa që sistemin arsimor e kemi bërë kaotik dhe e kemi kthyer në “ndërmarrje vullnetare”, me mundësi ndërhyrjesh nga të gjitha anët, duke harruar se sistemi arsimor është konvencional dhe se shkolla është detyrim”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje, përmes këtij reagimi ata kanë dhënë disa masa sipas tyre emergjente që duhet të ndërmerren në sistemin arsimor në Kosovë.

Të gjitha masat e propozuara:

E para, sistemi arsimor i Kosovës duhet të jetë unik dhe i pandarë në nivele të ndryshme të qeverisjes. Shteti me institucionet e tij qendrore duhet të marrin në dorë shkollën me të gjitha segmentet e saj, sepse decentralizimi i keqpërdorur është pararendje për kaos, anarki dhe shthurje. Kjo kërkon një ndryshim substancial në Ligjin për shkollimin parauniversitar.

E dyta, sistemi shkollor duhet të depolitizohet në tërësinë e tij, sepse politizimi i shkollës është faktori kryesor që ka shkaktuar kaosin në shkollë dhe në të gjitha nivelet e arsimit. Fajtorë për këtë gjendje janë njësoj, si pozita si opozita, sepse opozita e sotme ishte pozitë e djeshme dhe anasjelltas, në një kohë që degradimi i shkollës është një proces që ka zgjatur gjatë gjithë kësaj periudhe.

E treta, organizimi sindikal i mësuesve dhe arsimtarëve duhet urgjentisht të depolitizohet dhe të mos jetë vendimmarrës në procesin arsimor. Sindikatat dhe këshillat e prindërve nuk mund të marrin vendime që bien ndesh me ligjin.

E katërta, në asnjë sistem shkollor, në këtë fazë që jemi ne, nuk mund të bëhet aq relativ dhe i parëndësishëm vijimi dhe vlerësimi (nota). Vijimi është përgjegjësi e prindërve në rend të parë, të cilët, me një lehtësi të madhe i privojnë fëmijët e tyre nga shkolla, duke i hequr nga procesi mësimor me orë dhe me ditë të tëra. Më anë tjetër, vlerësimi (nota) duhet të kthehet me krejt peshën e tij në shkollë dhe në sistemin arsimor.

E pesta, procesi edukativ si segment i rëndësishëm i shkollës duhet të jetë më rigoroz dhe më substancial. Në shkollat tona është futur delikuenca dhe kriminaliteti. Me këtë problematikë duhet të merren të gjitha institucionet e shtetit dhe organet e rendit.

E gjashta, statusi i mësuesit dhe arsimtarit duhet të ndryshojë urgjentisht. Ata duhet të vlerësohen për punën e tyre, por para së gjithash duhet të aftësohen profesionalisht dhe të rindërtojnë figurën e tyre. Ata duhet t’i nënshtrohen licencimit dhe proceseve të tjera që lidhen me aftësitë e mësimdhënies, performancën dhe meritokracinë. Mësimdhënësit që dëshmojnë aftësi dhe përkushtim, duhet të diferencohen edhe në pikëpamje financiare.

E shtata, niveli qendror i institucioneve arsimore duhet të shtojnë ekipet e kontrollit dhe të inspektimit nëpër të gjitha shkollat e vendit, për të vlerësuar nivelin e mësimdhënies dhe të mësimnxënies, duke identifikuar përgjegjësit e dështimeve dhe duke i ndëshkuar ata.

E teta, niveli qendror i institucioneve arsimore, me germë dhe me normë, po ashtu ka detyrimin për të përcjellë nivelin e mësimdhënies dhe të mësimnxënies edhe në të gjitha shkallët e arsimit privat në mbarë territorin e shtetit të Kosovës.

E nënta, duhet të fillojë urgjentisht digjitalizimi i shkollës, i cili duhet të ndryshojë metodën e mësimit, së pari duke pajisur shkollat me internet dhe secilin mësimdhënës me kompjuter dhe, së dyti, duke i aftësuar ata në krijimin e një sistemi komunikimi shkollë-prindër-nxënës. Faza e dytë e digjitalizimit do të nënkuptonte pajisjen e të gjitha mësonjëtoreve me kompjuter për secilin nxënës.  

Më në fund, si shoqëri ne kemi nevojë që përfundimisht ta kthejmë vëmendjen te shkolla dhe arsimi.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, duke qenë se shumica e anëtarëve të saj kanë qenë të përfshirë për një kohë të gjatë në të gjitha nivelet e arsimit, shpreh gatishmërinë e saj të japë kontribut për tejkalimin e kësaj situate në shkollën tonë kombëtare.  

/GazetaSinjali/