image Akademia e Shkencave dhe Arteve shpenzoi 25 mijë euro për një skaner

Kosovë

Ekonomi/ Akademia e Shkencave dhe Arteve shpenzoi 25 mijë euro për një skaner

news image

Plot 25 mijë euro janë shpenzuar nga Agjencia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, për një skaner që AShAK-së i është nevojitur për nevojat e saj. Gazeta Sinjali ka kërkuar qasje në dokumentet zyrtare lidhur me arsyen e blerjes së këtij skaneri me këtë çmim.

Taulant Veseli nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka thënë se skaneri në fjalë nuk është blerë për skanimin e dokumenteve zyrtare, por është blerë për funksionalizimin e Qendrës Leksikografike të ASHAK-ut.

Sipas tij, në kuadër të kësaj qendre realizohet projekti shkencor ”Shqipja e shkruar në Kosovë në shekullin XX”.

I pyetur në lidhje çmimin e lartë të këtij skaneri, Veseli ka thënë se skanerët e shpejtë profesionalë me procesim të plotë për formatet deri në A1, e që përdoren për digjitalizimin e librave, gazetave, hartave, nuk janë komercialë, prandaj edhe kanë çmime të larta.

Veseli më tutje ka shpjeguar rolin e skanerit që AShAK-së i kushtoi 25 mijë euro. Ai thotë se me këtë skaner do të mund të krijohen arkivat digjitale të librave, revistave dhe gazetave.

“Skanerët e këtillë janë të punuar nga kompanitë profesionale me zbatim të teknikave të veçanta të skanimit për krijimin e arkivave digjitale të librave pa pasur nevojë të çlibërzohen, e po ashtu edhe të revistave dhe gazetave të libërzuara me trashësi të mëdha dhe të hartave”, ka deklaruar ai për Gazetën Sinjali.

Skaneri në fjalë sipas ASHAK-së është tejet profesional dhe me jetëgjatësi të madhe, i dizajnuar të punojë pa pushuar.

Në tenderin e shpallur nga ASHAK-ja janë paraqitur dy ofertues. Kompania fituese kontratën e ka nënshkruar më 24.07.2017./Gazeta Sinjali/