Më 1 korrik të këtij viti, Qeveria e Kosovës mori vendim që të ndalojë organizimin e tubimeve me më shumë se 50 persona, shkruan Gazeta Sinjali.
Sidoqoftë, as ky vendim e as rritja e vazhdueshme e rasteve të reja me koronavirus nuk po i ndalon qytetarët e Kosovës të organizojnë dasma e evente të tjera familjare.
Një dëshmi e tillë është edhe një video e dërguar në redaksinë e Gazetës Sinjali.
Në këtë video paraqitet një ndejë e cila sipas një sinjalizuesi është mbajtur në Podujevë.
Në video shihen disa burra “të ngjitur” me njëri-tjetrin teksa këndojnë këngë për diktatorin Enver Hoxha, duke mos respektuar asnjë masë mbrojtëse dhe asnjë rekomandim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Kujtojmë se që nga e hëna në Kosovë kanë vdekur 30 pacientë të prekur me koronavirus dhe janë konfirmuar edhe 1 mijë e 40 raste të reja pozitive./Gazeta Sinjali/