image As me propozimet e PDK-së, Vetëvendosje nuk do ta votojë Projektligjjin për Rimëkëmbje Ekonomike - Sinjali

As me propozimet e PDK-së, Vetëvendosje nuk do ta votojë Projektligjjin për Rimëkëmbje Ekonomike

news image

Këtë të premte pritet të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për ta votuar Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike me kërkesë të shefit të GP të PDK-së, Bedri Hamza, shkruan Gazeta Sinjali.

Kjo kërkesë vjen pasi PDK-ja pati disa kushte që i ka paraqitur sot në komisionin për Buxhet dhe Transfere.

Kushtet e PDK-së janë: pakoja prej 200 milionë eurove për mbështetje të bizneseve, mbështetje për 3 muaj nga 300 euro për punëtorët që kanë humbur vendet e tyre të punës, heqja e TVSh-së për lëndën e parë, për eksportimin e lëndës së parë dhe rimbursimi i mjeteve të tërhequra nga Fondi Pensional, për ata që i kanë deri në 10,000 euro kursime.

Por a pritet ta votojë edhe Lëvizja Vetëvendosje këtë projektligj të premten?

Në një përgjigje për Gazetën Sinjali nga Zyra e Mediave të VV-së, Arlind Manxhuka, tha se qëndrimet e këtij subjekti nuk kanë ndryshuar dhe vazhdojnë të jenë të njëjta sa i përket votimit të këtij projektligji.

“Unë besoj që më së miri e kanë shpjeguar sot deputetët në komisionin për buxhet dhe financa, dhe s’po besoj që ka ndryshuar diçka sa i përket qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai duke shtuar përsëri se “Nuk është që ka ndryshuar diçka prej asaj që e kemi thënë në të kaluarën”.

Ndryshe, Komisioni për Buxhet dhe Transfere me 6 vota për dhe 3 kundër, ka votuar sot raportin me rekomandime për Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike. E votimi i këtij raporti i ka paraprirë miratimi i 4 amendamenteve të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës.

E për propozimin e amendamenteve nga PDK dhe aprovimin e pozitës që ato të përfshihen në Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, deputetja e GP të LVV-së Mimoza Kusari-Lila e ka lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të së dielës për kryetar të Podujevës.

Ndërsa, kolegu i saj, Hekuran Murati tha se këto katër amendamente sipas llogarive të tij janë 350 milionë euro shtesë që do t’i shtohen projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, derisa këto amendamente i quajti më shumë dëshira sesa realitet. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin