Qeveria në detyrë sot ka vendosur t’i shkarkojë nga Bordi i Përkohshëm i Telekomit të Kosovës dy drejtorët e emëruar më 6 mars. Përmes një vendimi, qeveria në detyrë sot shkarkoi Luljeta Elezajn dhe Teki Shalën, për t’i zëvedësuar me dy të tjerë.
Siç duket, arsyeja e shkarkimit të Luljeta Elezajt dhe Teki Shalës është sepse ata ishin zgjedhur anëtarë të Bordit të Përkohshëm të Telekomit të Kosovës me propozim të ish-zëvendëskryeministrit, Avdullah Hoti, të cilin kryeministri në detyrë, Albin Kurti e shkarkoi posa i prishi marrëdhëniet me LDK-në, raporton Gazeta Sinjali.
Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari e kishte konfirmuar në një intervistë në Interaktiv të KTV-së se dy drejtorët tashmë të shkarkuar ishin propozime të Hotit.
“Telekomi është çështje shumë serioze, ku deputetët e VV-së dhe LDK-së kanë sjellë një rezolutë për ndryshim dhe pres nga Bordi që të adresojë të gjitha të gjeturat dhe të sjellë propozimin e saj. Unë pres atë (të ketë shkarkime). Dy anëtarë janë të pavarur apolitikë, dhe dy të tjerë janë propozuar nga Avdullah Hoti”, kishte thënë Hajdari.
Të dy drejtorët që u shkarkuan në mbledhjen e sotme të qeverisë kishin refuzuar të votonin për shkarkimin e kryeshefit të Telekomit, Bedri Istrefit dhe drejtorit financiar, Armend Osajt.
Në vend të dy drejtorëve të shkarkuar, qeveria në detyrë i zëvendësoi me Lule Ahmedin dhe Hekuran Nikçin, që u emëruan si anëtarë të rinj të Bordit të Përkohshëm të Kosovës. /Gazeta Sinjali/