image Arsimi i lartë publik pa pagesë, rektori i UP-së: Herët të flitet për ndikimin e këtij vendimi

Arsim

Arsimi i lartë publik pa pagesë, rektori i UP-së: Herët të flitet për ndikimin e këtij vendimi

news image

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti, deklaroi se është herët të flitet për ndikimin që do të ketë vendimi i Qeverisë së Kosovës për arsim të lartë publik pa pagesë.

Rektori flet për semestrin e parë që u mbajt me prezencë fizike pas dy viteve kur ligjëratat janë mbajtur online, cilësinë e studimeve e procesin e akreditimit të programeve.

Sahiti shprehet se të ardhurat që si universitet kanë arkëtuar nëpërmjet pagesës së semestrave po kompensohen nga ana e Qeverisë dhe se në këtë aspekt si UP nuk po cenohen.

“Është herët të flasim për ndonjë ndikim, qoftë pozitiv, qoftë negativ, për arsye se ai vendim ka filluar tek të zbatohet. Definitivisht që për një pjesë të studentëve ajo është një përparësi për arsye se do të lirohen nga disa tarifa, por nuk presim të jetë ndonjë ndikim domethënës për arsye se ato tarifa po ashtu kanë qenë simbolike, sidomos për nivelin bachelor. Për UP-në më rëndësi është ato të ardhura që ne i kemi gjeneruar nëpërmjet pagesës së semestrave të na kompensohen nga Qeveria, diçka e tillë veç ka ndodhur dhe në këtë aspekt UP nuk është i cenuar nga të ardhurat e tilla”, thotë ai.

Rikthimin në mbajtjen e ligjëratave me prezencë fizike, Sahiti e quan një lajm të mirë dhe që ka pasur ndikim pozitiv si tek studentët ashtu edhe tek personeli akademik.

“Urojmë që këto shifra të mos rriten javëve që pasojmë dhe në këtë mënyrë të na mundësohet që komplet vitin akademik ta përmbyllim në formën me prezencë fizike“.

“Definitivisht procesi mësimor me prezencë fizike ka përparësi të shumta krahasuar me formën virtuale. Ajo ka qenë një formë e imponuar, por definitivisht që ka lënë pasoja në cilësinë e procesit mësimor, për arsye se sado që profesorët mund të angazhohen mungesa e kontaktit të drejtpërdrejtë e pamundëson një gjë të tillë”, thotë rektori.

Gjatë vitit të kaluar, Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka vendosur kritere të reja sa i përket akreditimit të programeve, që kanë të bëjë që bartësit e programeve në nivelin bachelor duhet të kenë të paktën një punim shkencor të indeksuar nga fusha e programit, ndërsa në nivelin master dy punime të indeksuar nga fusha e studimit.

Pas reagimit nga Konferenca e Rektorëve, plotësimi i këtyre kritereve u shty për një vit meqë një numër i madh i programeve rrezikonin të mos akreditoheshin.

Në këtë drejtim, rektori i UP-së thekson se janë duke punuar me të gjitha fakultetet që kritere të tilla të plotësohen.

“Ne jemi duke punuar me fakultetet, dekanët janë në dijeni për këto standarde. Jemi duke punuar që qoftë nëpërmjet rekrutimit të personelit të ri akademik, qoftë nëpërmjet kërkesës që ata ekzistues të angazhohen t’i kenë ato punime të mos rrezikojnë programet e akreditimit”.

“Jemi duke punuar po që kur të vijë koha të plotësohen ato, natyrisht ne nuk mund të sigurojmë që të gjitha programet do t’i plotësojnë ato kritere, por pjesa dërrmuese nga ajo që e kemi analizuar në kohën kur janë marrë ato veprime së paku për vitin e ardhshëm nuk do të rrezikohen. Në ndërkohë duhet të punojmë si fakultete më shumë, pra të targetojmë mos akreditimin e programeve. Natyrisht që është sfidë për universitetin për arsye se janë standarde më të larta”, deklaron ai.

Gjatë vitit që e lamë pas, rektori i UP-së, Naser Sahiti, thotë se sfiduese për universitetin ka qenë përmbyllja e disa projekteve infrastrukturore nëpër fakultete të ndryshme.

“Sfida kryesore ka qenë e lidhur me situatën e krijuar si rezultat i pandemisë, por kjo ka qenë për të gjithë institucionet e tjera dhe për të gjithë universitetet gjithandej. Përveç kësaj ne kemi pasur edhe sfida të tjera që lidhen me infrastrukturën të cilën e ka në dispozicion UP. Ne kemi pas disa renovime të mëdha nëpër disa fakultete, pastaj kemi pasur aktivitete rreth krijimit të mundësive për zgjerim të infrastrukturës, por kjo është një gjë që ka qenë dhe vazhdon të mbetet sfidë edhe më tutje për UP-në”, thekson ai.

Sa i përket procesit të ndërkombëtarizimit të Universitetit të Prishtinës, Sahiti thotë se kanë nënshkruar marrëveshje të shumta me universitete ndërkombëtare./GazetaSinjali/