Anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Arsim Bajrami, i cili së bashku me Gjyljeta Mushkolaj nga kjo akademi, hartuan dokumentin në të cilin kanë përmbledhur të gjitha marrëveshjt e arrituara deri tani mes Kosovës dhe Serbisë, sot ka komentuar platformën e qeverisë së re rreth këtij dialogu që Avdullah Hoti e prezantoi para tyre.
Bajrami ka këshilluar Qeverinë Hoti që t’i japin prioritet themelimit të Asocacionit të Komunave me shumicë serbe, duke thënë se duhet krijuar një komision respektiv që do të themelonte statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
Ai vlerëson se themelimi i Asociacionit tashmë është një obligim ndërkombëtar për Kosovën dhe se nuk duhet lënë si çështje të diskutueshme meqë sipas tij, nëse shtrohet si problematikë në Bruksel do t’i shkaktojë Kosovës vetëm probleme.
Kur ka folur për statutin, Bajrami ka rikujtuar propozimin e ish-kryeministrit Mustafa, i cili kishte kërkuar që të hartohet një klauzolë për Asociacionin e cila fillimisht do të merrte miratimin nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.
“Është çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Tanimë ky është detyrim ndërkombëtar për Kosovën. Personalisht iu këshilloj që ta merrni si obligim të Qeverisë këtë punën e Asociacionit. Të themeloni një komision respektiv që të themeloj statutin e këtij Asociacioni. Qeveria e Isa Mustafës ka qenë shumë pragmatike kur ka propozuar që të hartohet një klauzolë që statuti i Asociacionit paraprakisht do të marrë verifikimin në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që të konstatohet që ky asociacion të jetë në pajtim”, ka thënë Bajrami në fjalën e tij.
Sipas ish-minsitrit lënja e një çështje të tillë si të diskutueshme vetëm sa do t’i shkaktojë probleme Kosovës.
“Personalisht iu këshilloj që në qeveri ta vendosni si prioritet, që të mos lihet si një çështje e diskutueshme dhe që të vendoset si e tillë në Bruksel., sepse do të shkaktojë më shumë telashe për Kosovën”, ka thënë ndër të tjera Arsim Bajrami./Gazeta Sinjali/