image Arrin grupi i tretë i afganëve në Kosovë

Kosovë

Arrin grupi i tretë i afganëve në Kosovë

news image

Ka arritur sot grupi i tretë i afganëve në Kosovë. Aeroplani i forcave amerikane, i nisur nga Gjermania, aterroi në Aeroportin “Adem Jashari” rreth orës 17:00 me 131 afganë në bord.

Kosova deri më tani ka strehuar 355 afganë, të cilët do të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë derisa t’iu rregullohet dokumentacioni për t’u vendosur në Shtetet e Bashkuara apo në ndonjë shtet anëtar të NATO-s.

Gjatë ditës së sotme, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se pak pas mesnate, në Kosovë arritën 113 afganë, që ishin bashkëpunëtorë të NATO-s dhe familjet e tyre.

Strehimi i tyre është i përkohshëm edhe bazuar në vendimet e qeverisë. Ne kemi marrë zotimin e aleatëve tanë që strehimi i tyre të zgjatë sa më shkurt që është e mundur. Bëhet fjalë për çështje javësh, mos të them muajsh”, tha ai.

Sveçla u shpreh se nuk e di numrin e saktë të fëmijëve në grupin e dytë, por edhe të grupit të tretë që erdhi më 31 gusht.

 Megjithatë, ai tha se nëse është e nevojshme, Kosova do të mundësojë që ata të edukohen.

“Jam i bindur se strehimi i tyre nuk do të zgjasë aq shumë sa të fillohet me përgatitjet e vitit shkollor”, theksoi Sveçla.

Sipas ministrit Sveçla asnjë nga shtetasit afganë nuk është i prekur me COVID-19 dhe ata do të vaksinohen me vaksinën e kompanisë Johnson & Johnson, të ofruar nga Shtetet e Bashkuara.

Ai po ashtu tha se afganët që kanë ardhur në Kosovë janë regjistruar në databazën e policisë kufitare dhe janë akomoduar në ish-kampin e Bechtel-Enka në Ferizaj.

Sipas tij, kushtet në këtë vend janë të mira, por ai shtoi se këta persona, që kanë ikur nga lufta, kanë nevojë edhe për ndihmë psiko-sociale, e cila “do t’iu ofrohet në koordinim me shtetet e NATO-s dhe SHBA-së”.

Ne nuk do të kursehemi me mundësitë dhe kapacitetet tona“, tha Sveçla.

Në Kosovë të dielën, më 29 gusht arriti grupi i parë prej 111 qytetarët e parë afganë, të cilët kanë ikur nga shteti i tyre, pasi talebanët morën kontrollin. Prej tyre, 55 janë gra dhe fëmijë, kurse të tjerët janë burra. Ata arritën në Prishtinë më 29 gusht.

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, më herët pati deklaruar se rreth 2.000 shtetas afganë pritet të vijnë në Kosovë.

Shpat Balaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), është shprehur se Kosova ka kapacitete teknike për strehimin e tyre.

Strehimi i qytetarëve afganë nga Kosova është një vendim i drejtë, jo vetëm nga aspekti moral dhe humanitar që Kosova po e zgjatë dorën e ndihmës për njerëzit në nevojë në kohë të krizave, por gjithashtu rikonfirmohet pozicionimi strategjik i Kosovës karshi aleatëve të NATO-s”, thotë Balaj për REL.

Qeveria e Kosovës javë më parë ka bërë të ditur se do të strehojë përkohësisht qytetarët afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s apo edhe me organizata të huaja.

Autoritetet kosovare kanë thënë se sipas ligjeve, afganëve do t’u ofrohet strehim i përkohshëm me kohëzgjatje deri në një vit.

Qindra afganë janë strehuar edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Shtetet e Bashkuara më 30 gusht e kanë përfunduar tërheqjen e plotë nga Afganistani pas 20 vjetësh të prezencës ushtarake atje.

Vendi tashmë është nën kontrollin e talebanëve dhe shumë afganë e kanë të paqartë të ardhmen e tyre nën sundimin taleban. /GazetaSinjali/