image Arrihet një marrëveshje e re globale për klimën në samitin COP26 - Sinjali

Arrihet një marrëveshje e re globale për klimën në samitin COP26

news image

Një marrëveshje që synon të shmangë ndryshimet e rrezikshme klimatike është arritur në samitin COP26 në Glasgow.

Pakti i Glasgow për Klimën është marrëveshja e parë klimatike që planifikon në mënyrë eksplicite reduktimin e qymyrit, karburantin më të keq fosil për gazrat serrë.

Marrëveshja kërkon shkurtime më urgjente të emetimeve dhe premton më shumë para për vendet në zhvillim, për t’i ndihmuar ato të përshtaten me ndikimet klimatike.

Megjithatë, zotimet nuk shkojnë edhe aq larg sa të limitojnë rritjen 1.5 gradë Celcius të temperaturës.

Një zotim për të hequr gradualisht nga përdorimi qymyrin që ishte përfshirë në draftet e mëparshme të negociatave çoi në një përfundim dramatik pasi India e kundërshtoi atë.

Ministri i Klimës së Indisë, Bhupender Yadav, pyeti se si vendet në zhvillim mund të premtojnë se do të heqin gradualisht subvencionet e qymyrit dhe karburanteve fosile, kur ata “duhet të merren ende me agjendat e tyre të zhvillimit dhe çrrënjosjen e varfërisë”, shkruan BBC.

Në fund, vendet ranë dakord të “ulin gradualisht” dhe jo “të heqin gradualisht” qymyrin.

Presidenti i COP26, Alok Sharma tha se i vinte “thellësisht keq” për mënyrën se si kishin rrjedhur ngjarjet. Por ai tha se ishte jetike për të mbrojtur marrëveshjen në tërësi./GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin