image Arrihet marrëveshja 236.7 milionë dollarëshe me MCC-në

Financa

Arrihet marrëveshja 236.7 milionë dollarëshe me MCC-në

news image

Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit – MCC ka bërë të ditur se me Qeverinë e Kosovës është përmbyllur marrëveshja kompakte në shumë prej 236.7 milionë dollarë.

“Sot, MCC dhe Qeveria e Kosovës përmbyllën një javë produktive negociatash për një marrëveshje kompakte të propozuar prej 236.7 milionë dollarësh, e krijuar për të forcuar sektorin e energjisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MCC-së.

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, e cila kryesoi ekipin e negociatave të Kosovës, në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se 202 milionë dollarë janë grant nga MCC-ja ndërsa pjesa tjetër, rreth 35 milionë euro, bashkëfinancim nga Qeveria e Kosovës. Ajo tha se programi ka dy projekte.

“I pari ka të bëjë me ndërtimin e kapaciteteve për akumulim të energjisë. Parashohim që të ndërtohen kapacitet për 340 megavat në orë akumulim të kësaj sasie të energjisë e cila do të jetë në momentin kur ndërtohet kapaciteti më i lartë për akumulimin e energjisë për kokë banori në Evropë. Është projekt mjaft inovativ i cili sheh drejt së ardhmes e cila do të ketë në njërën anë pavarësimin energjetik dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në sistemin tonë energjetik, pjesë në të cilën momentalisht po çalojmë, mirëpo këtë synojmë ta ndryshojmë me strategjinë e re”, tha ajo.

Po ashtu, Ministrja Rizvanolli tha se projekti tjetër brenda programit ka të bëjë me zhvillimin e aftësive punëtore për t’u përshtatur me nevojat e një tregu dinamik dhe inovativ, si edhe përfaqësimin më të mire të grave në sektorin e energjisë.

Projekti synon që përmes baterive, energjia e prodhuar në një kohë të caktuar të akumulohet në mënyrë që ajo të shfrytëzohet më vonë në orët e ditës kur çmimi i energjisë është më i lartë dhe kërkesa është më e lartë.

“Që do të thotë se kjo në një masë do ta reduktojë nevojën për import çka është shumë me rëndësi në kohët që po jetojmë, kur çmimi i importit të energjisë është rritur shumë”, tha ajo.

/GazetaSinjali/