image Arrestohet shtetasi i huaj, dyshohet se mashtroi mbi 70 kosovarë për viza pune

Kosovë

Policia/ Arrestohet shtetasi i huaj, dyshohet se mashtroi mbi 70 kosovarë për viza pune

news image

Policia ka arrestuar personin me inicialet J.L, (shtetas i huaj), nën dyshimin për mashtrim të qytetarëve të Republikës së Kosovës për gjoja rregullimin e vizave të punës, raporton Gazeta Sinjali.

“Lidhur me rastin, pas hetimeve disa mujore është konstatuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari shtetas i huaj me iniciale (J. L.) pronar i një agjencioni,  ka kryer veprën penale “mashtrim”. Përmes paraqitjes se fakteve të rreme, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete në mënyrë të kundërligjshme ka vënë në lajthitje qytetarë të ndryshëm të Republikës së Kosovës se rregullon viza pune për në një shtet të BE-së”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Gazeta Sinjali.

“Qytetarët që kanë aplikuar për rregullimin e vizave të punës janë dëmtuar në vlerë prej  150 deri në 300 euro. Prandaj, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari ka përfituar rreth 11.000 (njëmbëdhjetë mijë euro), duke mashtruar mbi 70 persona”, njofton policia.

J.L është dërguar  në mbajtje për 48 orë.

“Policia e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të jenë të kujdesshëm dhe mos të bien pre e mashtrimeve të çfardo lloji. Por, për çdo dyshim apo informacion që mund të jetë i rëndësishëm për parandalimin e rasteve të tilla të mashtrimit të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, në mënyrë që kryesit e këtyre veprave penale të sillen para drejtësisë”, thuhet në njoftimin e policisë./Gazeta Sinjali/