Të gjithë ata që nuk përmbushin detyrimet ose keqpërdorin besimin e dikujt, për të fituar dobi pasurore në formë të kundërligjshme ndiqen penalisht dhe mund të dënohen edhe me burgim. Raste të tilla janë të shpeshta dhe ndodhin kryesisht në biznese private në Kosovë, raporton Sinjali.
Për një rast të tillë që është zbuluar gjatë ditës së djeshme në Drenas, Policia tashmë ka arrestuar një person, ndërkohë që Sinjali ka mësuar detajet e rastit.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i arrestuari është punëtor në kompaninë “Auto Servis Partner”, i cili dyshohet se duke keqpërdorur besimin ka marrë një shumë të të hollave nga lokali për ta paguar një borxh.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për 20 mijë euro, para këto që i dyshuari duhej t’i kthente dhe kishte vendosur që t’i marrë nga kompania ku shërbente.
Por arrestimi i tij nuk ishte i lehtë, pasi fillimisht policia mori informacion se i njëjti kishte paralajmëruar vetëvrasjen, çka i bëri disa njësi policore që të vihen në veprim.
Sipas të njëjtave burime, 28 vjeçari u lokalizua pas një periudhe të shkurtër dhe u dërgua në stacion policor për procedurat e mëtejshme.
Ndaj tij, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.